Visar Azemi, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka publikuar një video ku ka theksuar gjendjen e rëndë me të cilën po përballen qytetarët dhe bizneset në Ferizaj për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë elektrike.
Në videon e shoqëruar me zhurmën e gjeneratorëve, Azemi tregon sesi banorët dhe bizneset vendase po i durojnë ndërprerjet e rënda të energjisë elektrike gjatë ditëve të ftohta të dimrit.
“Qytetarët e Kosovës, por edhe mërgimtarët që kanë ardhur për pushime, festat e fundvitit po i presin në terr.
Ka disa ditë që qytetarët e Ferizajit në këto ditë të ftohta por edhe bizneset, po përballen me reduktime të ashpra të rrymës. Ky kaos në sektorin e energjisë është pasojë e paaftësisë së qeverisë e cila është zhytur në korrupsion. Për 4 vjet, nuk kanë arritur të ofrojnë zgjidhje dhe me zhurmën e gjeneratorëve, na kanë kthyer në vitet e pasluftës”, tha Azemi mes tjerash.