Të hënën kreu i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka njoftuar se Gana e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Mëngjesin e së hënës, ministri serb i punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, njoftoi se Ganda e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Përveç njoftimit të Daçiqit, mediet serbe publikuan edhe dokumentin e notës verbale të tërheqjes. Por i menjëhershëm qe reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ), duke thënë se kjo është thjeshtë propagandë e Serbisë dhe se Ganda nuk e ka tërhequr njohjen. Por, Avni Mazrreku, profesor i të Drejtës Evropiane, ka thënë për lajmi.net, se fenomeni i tërheqjes së njohjes ekziston si koncept.
Madje ai ka thënë se për këtë ia kanë bërë me dije disa herë MPJ-së. “Ne e kemi thënë edhe disa herë që ka pasur në fakt edhe prej strukturave drejtuese të Ministrisë së Punëve të Jashtme sidomos, por edhe strukturave tjera institucionale të shtetit për çështjen e mundësisë së tërheqjes së njohjeve. Siç duket në strukturat tona institucionale që e përfaqësojnë Kosovën në politikën e jashtme ose nuk ka pasur njohje të mjaftueshme sa i përket funksionimit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe mënyrën se si funksionojnë marrëdhëniet ndërkombëtare ose të themi se kjo lajthitje është bërë me qëllim si rezultat i mungesës së kapaciteteve përkatësisht mosnjohjes së këtij procesi se si funksionon”, u shpreh Mazrreku për lajmi.net, i cili shtoi se ka raste të ndryshme në botë që në fakt tërheqjet e njohjeve kanë ndodhur siç është rasti i Tajvanit i cili ka pasur 38 njohje ndërsa aktualisht i ka rreth 17 apo 18.
Mazrreku po ashtu ka bërë të ditur se çështjen e njohjeve dhe mosnjohjeve me kohë ia kanë tërhequr vërejtjen autoriteteve kosovare, në veçanti përfaqësuesve të politikës së jashtme. Ne ua patëm tërhequr vërejtjen, unë personalisht edhe me kohë se mundësia e tërheqjes së njohjes ekziston gjithmonë sepse këtu kemi të bëjmë me akte të shteteve, vendime të shteteve dhe vendimet e shteteve janë çështje e brendshme e shteteve, konstituimit të tyre, bëri të ditur Mazrreku. Sipas tij, koncepti i njohjeve dhe mosnjohjeve qysh në fillim është kuptuar gabimisht dhe siç u shpreh ai, sovranitetit të shtetit gjithmonë është konsideruar dhe konsiderohet artikulimi i sovranitetit të shtetit në organizatat ndërkombëtare.
“Prandaj çështja e njohjeve dhe mosnjohjeve unë mendoj se prej fillimit është trajtuar gabimisht në Kosovë nga drejtuesit e institucioneve që kanë të bëjnë me politikën e jashtme, sidomos Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, kur kihet parasysh që sukses diplomatik dhe në fakt sukses në artikulimin e sovranitetit të shtetit gjithmonë është konsideruar dhe konsiderohet artikulimi i sovranitetit të shtetit në organizatat ndërkombëtare”, theksoi Mazrreku për lajmi.net. Ai thotë se tashmë objektivi i Serbisë është i qartë karshi politikës së saj të jashtme për Kosovën. Mazrreku po ashtu ka bërë të ditur se Kosova ka dështuar jo vetëm në procesin e njohjeve por edhe në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
“Kosova ka pasur një numër të caktuar të njohjeve ndërkombëtare të cilat në fakt po reduktohen dita ditës si rezultat i politikës së jashtme efektive të Serbisë që nuk është asgjë sekrete sepse e kanë deklaruar shumë haptazi dhe qartë se objektiv i joni i politikës së jashtme, objektiv primar është çështja e ndikimit te shtetet e caktuara të cilat ta tërheqin njohjen. Sidoqoftë Kosova jo vetëm tash në procesin e tërheqjes së njohjeve nga ana e disa shteteve, që fatkeqësisht ky numër i shteteve duket të jetë bukur i lartë, por Kosova ka dështuar plotësisht edhe në anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare”, theksoi Mazrreku.
Ai bëri të ditur se mos-anëtarësimi në organizata ndërkombëtare e dobëson edhe sovranitetin e Kosovës, pasi siç u shpreh Mazrreku, tashmë sovraniteti i një vendi matet me anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe si rrjedhojë e kësaj, Kosova do ta ketë të vështirë edhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian. “Mungesa e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare në fakt e pengon artikulimin e sovranitetit të shtetit, sepse sot sovraniteti i shtetit artikulohet si rezultat i anëtarësimit të shtetit në organizatat ndërkombëtare. Dhe përderisa Kosova nuk ka realizuar ndonjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, në organizata kredibile ndërkombëtare e ka të pamundur anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian përderisa janë pesë shtete të cilat nuk e kanë njohur Kosovën atëherë roli i Kosovës, çështja e funksionalizimit të politikës së jashtme dhe rolit të institucioneve që kanë të bëjnë me politikën e jashtme të Kosovës kanë përgjegjësi të drejtpërdrejt në këtë drejtim dhe kështu në fakt vështirësohet edhe më tutje pozita e Kosovës”, u shpreh Mazrreku.
Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare ka bërë të ditur se jo gjithherë marrëdhëniet ndërkombëtare janë konstante. Sipas tij, është Kosova ajo që ka shënuar regres në politikën e jashtme të saj. Mazrreku po ashtu ka bërë të ditur për lajmi.net, se shteti i Kosovës duhet të ndërmarrë hapa serioz dhe të menjëhershëm në përmirësimin e funksionalizimit të politikave të jashtme. “Normalisht marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë konstante ato munden me ndërru, do me thënë raportet midis shteteve ndërrojnë dhe munden njëkohësisht të ndërrohen raportet brenda organizatave të caktuara ndërkombëtare. Tash Kosova në njëfarë mënyre nuk është duke shënuar progres në këtë drejtim, avancimin e sovranitetit të saj përkatësisht anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare, por realisht Kosova është duke shënuar regres në këtë drejtim. Prandaj mendoj se duhet të ndërmerren hapa serioz edhe të menjëhershëm në funksion të përmirësimit të efikasitetit të punës së institucioneve të Kosovës, do me thënë institucioneve që kanë të bëjnë me politikën e jashtme apo që janë përgjegjëse për politikën e jashtme të Kosovës”, theksoi Mazrreku.
Theksojmë se zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ), në vazhdimësi kanë deklaruar se koncepti i tërheqjes së njohjes nuk ekziston, përderisa kjo ministri në dy vitet e fundit e udhëhequr nga Behgjet Pacolli, ka arritur që t’i sigurojë vetëm dy njohje. Ka qenë Madagaskari i cili e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 24 nëntor të vitit 2017 dhe Barbados më 15 shkurt të vitit 2018. Në anën tjetër, ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka thënë se me tërheqjen e njohjes nga Republika e Ganës, numri i shteteve që e kanë çnjohur Kosovën shkon në 16.