11.2 C
Mitrovice
E hënë, 10 Nëntor, 2025
spot_img

Faton Peci pas fitores: Jam thellësisht i nderuar dhe i vetëdijshëm për përgjegjësinë që po marr, do të jem kryetar i të gjithëve pa dallim partie

Kryetari i zgjedhur i Mitrovicës Faton Peci, shprehu mirënjohjen ndaj mitrovicasve për besimin e dhënë pas fitores në balotazhin e 9 nëntorit, shkruan Mitrovica SOT

Ai falënderoi edhe strukturat e aktivistët e LVV dhe GUXO për angazhimin e poashtu kryeministrin Kurti për besimin.

Ai tha se ndjehet thellësisht i nderuar për besimin por edhe se është i vetëdijshëm për përgjegjësinë.
Peci u zotua se do të jetë kryetar i të gjithëve pa dallim partie.

Postimi:

Të dashur qytetarë të Mitrovicës,

Pas shpalljes së rezultatit të mbrëmshëm, dua t’ju drejtohem me një falënderim të përzemërt, meqë me besimin tuaj më keni dhënë përgjegjësinë më të madhe gjatë gjithë jetës sime politike, të shërbej tashmë si Kryetar i Mitrovicës sonë.

Faleminderit për besimin dhe mbështetjen, për durimin dhe punën e palodhshme, për angazhimin, për çdo derë të hapur, për çdo takim, për çdo fjalë mbështetjeje. Kjo fitore është e juaja, është e Mitrovicës dhe e gjithë qytetarëve të saj që nuk janë lodhur së kërkuari dinjitet, drejtësi dhe qeverisje të ndershme.

Jam thellësisht i gëzuar dhe i nderuar, por mbi të gjitha i vetëdijshëm për përgjegjësinë që po marr para jush, duke ju siguruar se asnjë ditë e këtij mandati nuk do të na shkojë dëm. Do të punoj me përulësi para qytetarëve të mi, me vendosmëri, përgjegjësi e integritet kundër krimit e korrupsionit, me transparencë e llogaridhënie në çdo vendim, me respekt e mirënjohje për çdo lagje, çdo fshat e çdo familje të Mitrovicës.

Dua të falënderoj nga zemra strukturat, anëtarët dhe aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Partisë Guxo; vullnetarët, kandidatët, shtabin, të rinjtë dhe të rejat dhe të gjithë bashkëpunëtorët tanë që nuk u ndalën asnjë ditë. Pa ju, pa punën tuaj të palodhur, kjo fitore nuk do të ishte e mundur.

Falënderim i veçantë për Kryeministrin Albin Kurti për mbështetjen dhe besimin gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Shembull i njeriut të drejtë e trim, i ndershëm e sypatrembur, që i doli zot Mitrovicës dhe Republikës, nuk u tërhoq përballë kërcënimeve, shantazhit e presioneve të padrejta, goditi në rrënjë kontrabandën, krimin, strukturat paralele dhe të gjitha padrejtësitë e grumbulluara me vite, duke i kthyer qytetarëve besimin, sigurinë dhe dinjitetin, e Mitrovicës madhështinë e krenarinë.

Nga sot, Mitrovica do të ketë qeverisje që dëgjon, që reagon dhe që mban fjalën.

Buxheti i komunës do të kthehet në projekte konkrete, në infrastrukturë, arsim, shërbime cilësore dhe hapësira të denja për jetën e përditshme. Të rinjtë tanë duhet ta shohin të ardhmen e tyre këtu, në Mitrovicë.

Para jush zotohëm se:

• Do të jem Kryetar i të gjithëve, pa dallim partie, bindjeje apo përkatësie;

• Interesi publik do të jetë gjithmonë mbi çdo interes tjetër;

• Mitrovica do të trajtohet me dinjitetin që meriton, si qytet i sakrificës, punës dhe guximit.

Mitrovica është qyteti i minatorëve – atyre që i dhanë shumë Kosovës. Çdo ditë e tyre fillon me urimin “Me fat”, dhe le të jetë pikërisht fati që do ta shoqëroj punën tonë të përbashkët për qytetin.

I juaji,
Fatoni

TË FUNDIT

TË FUNDIT