Klan Kosova do të dalë pas fare pak minutash me exit-pollin ekskluziv për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Këtë do të keni mundësi ta ndiqni në emisionin Rubikon në Klan Kosova, me autor Adriatik Kelmendin, i cili do të jetë i shoqëruar nga opinionistët dhe analistët e rregullt.
Ilir Deda, njëri nga opinionistët e rregullt të Rubikonit, tha se procesi ka shkuar mirë gjatë ditës, mirëpo pati pak kritika për KQZ-në që tha se nuk po i përditëson të dhënat në kohë reale.
Adriatik Kelmendi tha se procesi i votimit ishte i thjeshtë, mirëpo pak më i gjatë sesa i herëve të kaluara, kjo për shkak se është hera e parë që qytetarët patën mundësi të votojnë deri në 10 kandidatë për deputetë.
Ai tha se ka pasur thirrje të vazhdueshme nga partitë politike që të ketë sa më shumë dalje në zgjedhje, teksa theksoi se duket se do të ketë numër më të madh të personave që kanë dalë.
“Pritet që dalja të jetë rreth 46 për qind, që është për 2.2 për qind sesa para katër vjetësh”, theksoi Kelmendi.
Opinionisti Rrahman Paçarizi tha se dita e sotme ka shkuar pa incidente, duke e kaluar kështu Kosova edhe një test të demokracisë.
Labinot Balaj, po ashtu pjesë e rregullt e Rubikonit, tha se prolongimet për kryerjen e votimit janë për shkak të rritjes së numrit të kandidatëve të lejuar për votim.
Ai tha se dalja e ulët, tradicionalisht u ka shërbyer partive që kanë qenë në pushtet.
Kelmendi tha se me informatat për exit-pollin që janë shpërndarë kohë pas kohe, shpreson që të mos kenë prishur heshtjen zgjedhore.
“Besoj se do të kemi rezultate interesante, që do të thotë se do të kemi lëvizje”, deklaroi Kelmendi.