Eurodeputetja dhe raportuesja për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, ka thënë se do bëjë gjithçka në mënyrë që premtimet për liberalizimin e Kosovës të ralizohen, transmeton Gazeta Metro.
Në një intervistë për FaktePlus, Fajon thotë se edhe pse Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga BE, nuk mund të jep ndonjë datë se kur do të ndodhë një gjë e tillë.
“Nuk do të doja të jepja afatet e sakta kur do të mund të ndodh liberalizimi. Pasi Këshilli të ketë dhënë dritën e gjelbër, Rregullorja mund të miratohet me shpejtësi. Topi është në duart e qeverive të BE-së. Si raportuese, do të bëj gjithçka që është në fuqinë time, për ta bërë të realizueshme këtë, për qytetarët e Kosovës që të udhëtojnë pa viza sa më shpejtë që të jetë e mundur”, ka thënë Fajon.
Tutje, ajo ka folur edhe rreth pesë shteteve që nuk e kanë njohur ende Kosovën, duke thënë se njohja nuk duhet të krahasohet me liberalizimin.
“Shpresoj që shtetet, të cilat nuk e njohin Kosovën, nuk e shohin njohjen dhe liberalizimin e vizave si të njëjtën gjë. Ne dhe të gjitha institucionet e BE-së nuk e shohim këtë çështje në atë mënyrë. Mund t’ju kujtoj se BE ka hequr vizat për Tajvanin edhe pse nuk po e njeh shtetin. Heqja e vizave është e rëndësishme për njerëzit e thjeshtë në Kosovë dhe nuk duhet të shihet si çështje politike. Në këtë rast, nuk është e justifikueshme për askë që ta sheh këtë si një problem”, ka deklaruar Fajon.
Ndryshe, Fajon vazhdimisht është deklaruar se vizat për Kosovën duhet të heqen sa më shpejt, pasi që vendi ka plotësuar të gjitha kushtet.
Sidoqoftë, vizat nuk u hoqën edhe pas konfirmimit të Komisionit Evropian, i cili korrikun e vitit 2018 tha se Kosova i ka plotësuar edhe dy kushtet e fundit për liberalizim: Demarkacionin dhe arritjet në luftimin e krimit dhe korrupsionit./gazetametro.net