Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka dhënë një pasqyrë se si do të ndahen mandatet, tashmë kur ka përfunduar edhe numërimi i votave të diasporës.
Sipas Cakollit, Vetëvendosja do t’i ketë 48 mandate, PDK’ja 24, LDK’ja 20 mandate dhe AAK’ja tetë mandate, shkruan Reporteri.net.
“Nëse nuk ndodh ndonjë trend krejtësisht i pazakontë, votat me kusht nuk do të sjellin asnjë ndryshim në shpërndarjen e mandateve. Në të gjitha zgjedhjet e kaluara, këto vota kanë ndjekur pothuajse të njëjtin trend si votat e rregullta – me një rritje të lehtë për partinë e parë”, ka shkruar Cakolli.
Sipas tij, e vetmja rrethanë, e cila mund të prodhojë lëvizje në (një të vetëm!) mandate, është nëse LDK arrin të marrë mbi 20% të votave me kusht, duke fituar një mandat nga PDK.
“Por për këtë, do të duhej një ndryshim i dukshëm i trendit, që nuk ka ndodhur më parë. Andaj, me shumë gjasë, ky do të jetë rezultati përfundimtar i zgjedhjeve”, ka shkruar Cakolli.