Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e quajti ‘gjë të shëmtuar’ refuzimin tash e tre muaj të Albin Kurtit për t’u paraqitur para Prokurorisë Speciale në cilësinë e dëshmitarit.
Hasani në një intervistë për Euronews Albania të martën, tha se arsyeja kryesore e refuzimit të Kurtit për të dëshmuar lidhet me nënshkrimet e tij për Rezervat Shtetërore.
“Dëshmia është detyrim ligjor dhe kushtetues për çdo individ, përfshirë edhe kryeministrin. Arsyeja kryesore pse ai nuk shkon atje ka të bëjë me një fakt tjetër që ai e di: ka nënshkruar për rezervat. A e dinë se të gjitha ato vendime ekzistojnë dhe një pjesë e tyre janë publike, të kaluara me nënshkrimin e tij dhe me lejen e tij? Ai e di se pas kësaj dëshmie, edhe zonja Dejona Mihali, që është në një eminencë gri këtu në Kosovë, mund të përfundojnë nën aktakuzë. Kjo është arsyeja reale pse zoti Kurti refuzon të japë dëshminë”, tha Hasani.
Profesori Hasani tha se kryeministri ka dërguar një mesazh të gabuar te qytetarët.
“Refuzimi i Kurtit për të shkuar në Prokurorinë e Posaçme është një gjë e shëmtuar dhe nënkupton shkelje të sundimit të ligjit, sepse dërgon një mesazh të gabuar te qytetarët e zakonshëm, duke promovuar pabarazinë e qytetarëve para ligjit, kundër postulatit që askush nuk është mbi ligjin. Në këtë bazë, ai momentalisht del mbi ligjin, pasi nuk e ka fituar betejën me shtetin, sepse askush nuk mund ta fitojë, kështu që as zoti Kurti nuk mund ta fitojë”, tha Hasani.
Sipas tij, procedurat ligjore parashohin që Kurti të dënohet me gjobë dhe “nëse ai vazhdon me refuzimin”, gjykata urdhëron arrestimin dhe sjelljen me dhunë të kryeministrit në Prokurori.
“Po të mos gaboj, dënimi fillestar është 250 euro dhe nëse ai vazhdon me refuzimin, gjykata urdhëron arrestimin dhe sjelljen me dhunë të zotit Kurti. Ky lloj huliganizmi institucional është i papranueshëm në këtë pjesë të botës ku jetojmë dhe që synon të formohet politikisht sipas standardeve më të larta të kushtetutës sonë dhe vendeve perëndimore. Ky është një veprim i papranueshëm dhe do të ketë pasojë për Kosovën dhe për zotin Kurti, sepse objektivisht ai nuk mund ta sfidojë pafund mosshkuarjen për të dëshmuar”, tha Hasani.