1.1 C
Mitrovice
E martë, 26 Nëntor, 2024
spot_imgspot_img

“Ëndrrat e referit”, dokumentari kushtuar sportistit mitrovicas që përfaqëson Kosovën në festivalin e Milanos

Arti dhe kultura janë disa prej mënyrave më të mira për ta përfaqësuar vendin në arenën ndërkombëtare, e sidomos kur tregojnë për të kaluarën e popullit tonë.

Gjatë këtyre ditëve, dokumentari “Ëndrrat e referit” kushtuar referit nga Mitrovica, Ismet Sejdiu, përfaqësoi Kosovën në festivalin botëror të filmave dhe dokumentarëve sportiv “Ficts 42nd World Championship Final 2024”, të mbajtur në Milano të Italisë, shkruan Telegrafi.

Autori i dokumentarit, Fatmir Hajzeri, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ky dokumentar i kushtohet referit Ismet Sejdiu, i cili është vrarë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Hajzeri ka thënë se Sejdiu ishte një prej referëve më të dalluar në kohën e pavarësimit të futbollit të Kosovës, në vitet 1990-1998.

“Dokumentari tregon për ëndrrën e Ismetit dhe sakrificat jo vetëm të tij, por të të gjithë akterëve të asaj kohe të vështirë dhe përçon mesazhin se gjenerata të tëra janë flijuar për lirinë e këtij vendi dhe lirinë e sportit”, ka thënë autori.

Ai ka thënë se realizimi i dokumentarit ka zgjatur rreth dy vjet dhe është mbështetur nga Federata e Futbollit të Kosovës, Komuna e Mitrovicës dhe TV Mitrovica.

Hajzeri ka tregur se premiera është pritur “ngrohtësisht” dhe shpreson se dokumentari do të përcjellet edhe në festivale tjera ndërkombëtare të dokumentarëve sportiv, transmeton Telegrafi.

“Dokumentari është i gjatë 41 minuta dhe pjesa më e rëndësishme janë mesazhet nga aktorët pjesëmarrës, të cilët dokumentojnë vuajtjet e gjeneratës së sakrificës të viteve të 90-ta”, ka shtuar autori.

Posteri i dokumentarit “Ëndrrat e referit”

Ai ka theksuar se fillimisht premiera e dokumentarit është mbajtur në vendlindjen e referit, Mitrovicë, e më pas edhe në Prishtinë nën organizimin e Komitetit Olimpik të Kosovës, ku dhe është përzgjedhur të përfaqësoi Kosovën në Itali.

Skenarist dhe regjisor i dokumentarit është Skender Sadiku, kameraman Gëzim Ferati, organizator Fisnik (Ismet) Sejdiu, konsulentë Valmira Baruti dhe Ahmet Jashari, montazher Fatmir Mehmeti.

Për narracionin janë kujdesur Lulzim Hakaj dhe Majlinda Brahimi, ndërsa për përkthimin Lydia Musliu dhe Lavdim Musliu.

Ndërsa, regjisori dhe skenaristi i dokumentarit, Skender Sadiku për Telegrafin ka thënë se referi Ismet Sejdiu mishëron sakrificën e një gjenerate të tërë të punëtorëve sportiv që “mbajtën gjallë” sportin kosovar gjatë okupimit serb.

Sadiku ka thënë se sfidë në vete për realizimin e këtij dokumentari ishte numri i madh i të intervistuarve dhe lokacionet e ndryshme.

“Dokumentari është dëshmi e një lufte të madhe të punëtorëve sportiv, të cilët mbajtën gjallë ëndrrën për liri dhe pavarësi të sportit. Mesazhi kryesor është se kjo liri që e gëzojmë sot është sakrificë e një armate të madhe punëtorësh sportiv, të cilët derdhën lot, djersë e gjak”, ka thënë tutje ai.

Skenaristi dhe regjisori ka potencuar se pritja nga ana e kryetarit të këtij festivali, Franco Ascani, për delegacionin kosovar ishte “më shumë se miqësore”.

“Përfaqësimi i Kosovës në një ngjarje kulmore në ‘World FICTS Challenge 20024′ ishte një nder dhe krenari e madhe”, ka vijuar Sadiku. /Telegrafi/

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT