Lufta Rusi-Ukrainë ka shtrirë “ndikimin” e saj në të gjithë botën.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, derivatet e naftës kanë shënuar ngritje, ku sot çmimi është rritur në një nivel që nuk është prekur që nga viti 2008 në bursën ndërkombëtare.
Në anën tjetër, as Kosova nuk ka mbetur neutral në këtë mes, duke parë se sot një litër naftë ka prekur çmimin 1.61 euro në pikat e karburantit.
Kryetari i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë për lajmi.net se sipas trendit që është duke u parë, çmimi i derivateve do të vazhdojë të rritet.
“Sa i përket çmimit të derivateve, nuk është koha të pyesim se çfarë çmimi kemi, por a do të kemi derivate, pasi që kjo është me rëndësi. Tërë globi është në panikë, shpresoj e besoj që kosovarët nuk do të kenë nevojë për panikë sepse besoj që do të kemi derivate. Çmimet në anën tjetër i përcakton BERZA dhe organizata prodhuese – OPEK, por ndikimin më të madh të këtij ‘skandali’ botëror e ka bërë lufta Rusi-Ukrainë”, ka thënë Berjani.
Ai ka thënë se një rritje e tillë e çmimit të derivateve është paralajmëruar më herët.
“Sipas trendit që është duke u parë, do të ketë rritje të mëtutjeshme të derivateve të naftës. Unë kam thënë para një muaji se çmimi do të shkojë në 1.60, e tashmë veç e kemi 1.61 euro për litër naftë. Do të thotë, unë e kuptoj se për qytetarët tanë derivatet janë të shtrenjta, por edhe qytetarët duhet ta kuptojnë se kjo nuk varet nga Kosova, as nga shoqata e as nga Qeveria, pasi që problemi është botëror, andaj shpresoj dhe besoj se do të vijnë ditë më të mira e të ulet çmimi i derivateve”, ka thënë Berjani.
Në fund, ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës vështirë se mund të ndihmojë diçka në këtë aspekt edhe me vendimin e përcaktimit të marzhës tregtare, pasi që një litër naftë është duke u importuar me 1.55 euro dhe është duke u shitur me 1.61 euro. /Lajmi.net/