Trepça është mposhtur 31:30 për t’u eliminuar në raundin e dytë të Kupës Evropiane për hendbollistë. Të dielën mbrëma në Bosnjë-Hercegovinë, Trepça pësoi me një gol dallim nga Vogoshqa. Të premten në Vogoshqa, në afërsi të Sarajevës, ndeshja e dy skuadrave kishte përfunduar 27:27.
Ndeshja e së dielës kishte fund dramatik, ndërsa skuadra mitrovicase kishte gjasa reale për ta siguruar fitoren dhe kualifikimin. Por portieri i skuadrës boshnjake bëri pritje vendimtare në minutat e fundit duke ia mundësuar fitoren Vogoshqas. Portierit boshnjakë i kishin 18 pritje gjithsej, për dallim nga tetë sa i kishin portierët e Trepçës. Dhe këtu u bë dallimi më i madh.
Vogoshqa në pjesën e parë ishte vazhdimisht në epërsi, që shkoi deri në pesë gola, 17:12 dhe 18:13. Epërsia shkoi deri në pesë gola edhe në pjesën e dytë, 23:18. Por mitrovicasit nuk u dorëzuan. Me aksione të zgjatura dhe të ndërtuara mirë, barazuan në 25:25 në minutën e 46-të. Në minutën e 56-të, Trepça kaloi para, 28:28, por pasoi seria e pritjeve të portierit vendas, që doli të jetë vendimtare në fund. Vogoshqa u shkëput në 31:29, ndërsa Trepça shënoi në fund për 31:30.
Deniz Terziqi luajti tjetër ndeshje të madhe për Trepçën, duke realizuar 11 gola nga 14 tentime. Shtaë gola nga dhjetë tentime i kishte Marley Wallace. Katër gola nga pesë tentime i kishte Rron Ramadani, ndërsa Lulzim Shabani shënoi katër gola nga 11 tentime.
Trepça për herë të tretë është paraqitur në gara evropiane. Në dy pjesëmarrjet e para i kishte pësuar katër humbje të thella. Këtë herë luajti dy ndeshje të forta, por që nuk mjaftuan. Kushtoi shumë edhe fakti që dy ndeshjet u luajtën në Bosnjë-Hercegovinë e po ashtu disa vendime shumë diskutabile të referëve nga Maqedonia e Veriut. Me marrëveshje të dy klubeve, të dy ndeshjet u luajtën në Vogoshqa. Me zhvillimin e njërës ndeshje në “Minatori” gjasat për suksesin historik të Trepçës do të ishin shumë të mëdha. Trepça është fituese e Kupës së Kosovës.
©KOHA.