Eksperti amerikan, Alon Ben Meir, ka komentuar vendimin e presidentes Osmani për të shpallur “non-grata” dy shtetas rus.
Me anë të një postimi në Facebook, Ben Meir ka thënë se Osmani ka qenë në të drejtën e saj dhe ka terren për të marrë vendime të tilla, pasi që sipas tij Rusia vazhdon të angazhohet në akte të ndryshme spiunazhi për të minuar Kosovën.
Sipas tij, Rusia do të bëj çka do që është e mundur për të penguar procesin e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë.
“Besoj se ka terren absolutisht të fortë që presidentja e Kosovës Vjosa Osmani të kërkojë nga Ministria e Punëve të Jashtme që dy diplomatët rusë t’i shpallë “persona non grata”, dihet se Rusia ka dhe vazhdon të angazhohet në akte të ndryshme spiunazhi për të minuar Kosovën. Moska është një mbështetëse e vendosur e Serbisë dhe po bën gjithçka që mundet për të parandaluar çdo proces pajtimi midis Serbisë dhe Kosovës, që është pikërisht e kundërta e asaj që po promovon BE”, ka shkruar ai.



