3.5 C
Mitrovice
E martë, 2 Dhjetor, 2025
spot_img

Edhe sot, EFT-ja e Vuk Hamoviqit fut energji në zonën e KOSTT-it

Kompania që dikur denoncohej nga kryeministri në detyrë Albin Kurti për lidhje me Serbinë, EFT-ja e manjatit serb Vuk Hamoviq, ka tregtuar edhe sot energji elektrike përmes Malit të Zi në Kosovë.

Të dhënat publike pranë SEE CAO, platformës koordinuese për ankande ndërkufitare në Evropën Juglindore, tregojnë se EFT me bazë në Zvicrës është njëra ndër kompanitë që kanë fituar të drejtën për përdorimin e kapacitetit të linjës ndërkufitare të energjisë mes Malit të Zi dhe Kosovës.

Tregtimi i energjisë bëhet përmes linjave të tensionit të lartë që lidhin dy sistemet elektro-energjetike të dy vendeve.

EFT ka fituar të drejtën përmes ankandit që të fut energji elektrike në Kosovë më datën 2 dhjetor mes orës 15:00 – 16:00, bazuar në të dhënat e platformës SEE CAO, raporton Paparaci.

Pasi fiton kapacitetin e linjës ndërkufitare, EFT mund të përdor këto kapacitete energjetike për t’ia shitur Operatorit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), ndonjë operatori privat në Kosovë ose vetëm e tranziton energjinë përmes Kosovës në një sistem të një vendi tjetër.

EFT (Energy Financing Team) është kompani që merret me tregtimin e energjisë elektrike, e cila drejtohet nga manjati serb Vuk Hamoviq.

Hamoviq, i cili konsiderohet si lojtari kryesor i tregtimit të energjisë elektrike në rajon, është një afarist i pasuruar në mënyrë të dyshimtë, ndonëse nuk ka ndonjë akuzë të ngritur kundër tij në asnjë shtet.

Në një intervistë për një televizion shqiptar në vitin 2021, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tash kryeministër në detyrë i Qeverisë së Kosovës, fliste për nevojën e “çkapjes” së sistemit energjetik të vendit nga kthetrat e Hamoviqit.

Kurti, duke zbërthyer profilin e kompanisë EFT, e lidhte të njëjtën me Vuk Hamoviqin dhe djalin e Aleksandar Rankoviqit famëkeq, ish-ministrit të Brendshëm të Jugosllavisë në kohën e represionit të ish-regjimit ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Ajo firmë e cila në tregun energjetik dominon shqiptarët është firma EFT, e cila ka dy pronar, Vuk Hamoviq – djali i Rade Hamoviqit, shefit të shtatëmadhërisë të armatës popullore të ish-Jugosllavisë i cili u eliminua nga Tito në plenumin e briomeve në vitin 1966 dhe tjetri është djali i Aleksandër Rankoviqit, ministrit famëkeq të Punëve të Brendshme të ish-Jugosllavisë e posaçërisht Serbisë. Rankoviq ishte i njohur për dëbimin e shqiptarëve për në Turqi dhe për aksion e mbledhjes së armëve dhe torturave ndaj shqiptarëve“, deklaronte Kurti në këtë intervistë për Report TV, transmeton Paparaci.

Kurti fliste për urgjencën që sistemi energjetik i vendit të shkëputej nga dominimi i EFT-së.

“Këta të dy (Hamoviq dhe Rankoviq) jetojnë në Londër ku edhe janë të listuar në bursën atje dhe nga Londra na dominojnë neve. Për mua hap më të rëndësishëm se të bëjmë gjëra simbolike me daulle e tupana sipër apo poshtë Shkumbinit, është që ta heqim EFT“, vazhdonte Kurti tregimin e tij.

Kurti thoshte se “planin” e tij për ta hequr nga tregu EFT-në e kishte diskutuar edhe me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, por që sipas tij idetë e tij e kanë “vënë në mendime” Ramën.

TË FUNDIT

TË FUNDIT