Deputetja e PDK, Ganimete Musliu, vlerësoi se kryeministri Albin Kurti nuk di të qeverisë dhe se dëshiron të sundojë.
“EDHE SA SHANSA DUHET POPULLI T’IA JAPË ALBIN KURTIT? Populli i Kosovës i dha tri herë radhazi Albin Kurti besimin më të madh politik në historinë e pasluftës. Me krejt dështimet e tij në dy mandatet e para, qytetarët i dhanë një mandat me mbi 50% për të ndërtuar institucione stabile, për të marrë vendime dhe për ta çuar vendin përpara”, shkroi Musliu.
“Por sot, përballë bllokadave dhe vonesave në funksionalizimin e institucioneve, lind një pyetje legjitime: edhe sa shansa duhet t’i japë populli një qeverisjeje që nuk arrin ta kthejë besimin në rezultate? Kosova nuk mund të mbahet peng i kalkulimeve politike. Qytetarët nuk votuan për stagnim, as për arsyetime të pafundme. Ata votuan për përgjegjësi, veprim dhe institucione që funksionojnë. Mandati i madh është përgjegjësi e madhe. Dhe kur një lider merr një besim kaq të fuqishëm nga qytetarët, ai nuk ka luksin të dështojë në detyrën më themelore: ndërtimin dhe funksionalizimin e institucioneve të shtetit, sepse, në fund, demokracia nuk matet me fjalë dhe premtime, por me rezultate konkrete për qytetarët. Albini nuk din e as nuk don me qeverisë, Albini don me SUNDU!”, deklaroi Musliu.



