Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka liruar nga detyra e ambasadorit bë Paris, Qëndrim Gashin.
Lajmin e ka bërë të ditur vet Gashi me anë të një statusi në Facebook, i cili ka thënë se ky vendim ka ardhur pas kërkesës së tij në dhjetor të vitit të kaluar.
“Pas kërkesës sime të bërë në dhjetor të vitit të kaluar, sot kam pranuar dekretin e Presidentes për mbarimin e misionit tim në Paris. T’i shërbesh vendit si ambasador është privilegj. T’i shërbesh vendit me përkushtim, është obligim. Përfaqësimi i Kosovës në Francë, si dhe në Andorë e Monako, e për një kohë edhe në Portugali, ka qenë nder i jashtëzakonshëm për mua. Gjatë kësaj periudhe i kam mbrojtur interesat e vendit tonë dhe jam përpjekur t’i avancoj raportet e shkëlqyeshme me shtetet ku kam qenë i akredituar, në veçanti me Francën. Raporti ynë me Francën është esencial për të ardhmen tonë evropiane. Më lejoni ta shfrytëzoj rastin që t’i falënderoj për bashkëpunim dhe përkrahje të gjithë liderët institucionalë shtetërorë nga viti 2016 e deri tash, duke filluar nga ish-presidentja Jahjaga e cila në vitin 2015 e mori nismën për të më emëruar. Deri në përfundimin zyrtar të misionit tim, do të vazhdoj ta kryej punën me përkushtim të plotë. Faleminderit shumë Kosovës dhe shtetit mik francez nga unë dhe Jeta (si dhe nga Jani e Noli) — mirupafshim së shpejti!”, ka shkruar Gashi në Facebook.
Kujtojmë se presidentja Vjosa Osmani ka liruar nga detyra e ambasadorit në Gjermani edhe Beqë Cufajn.
Ministria e Punëve të Jashtme ka liruar sot nga detyra 12 ambasadorët e emëruar politikisht.