13.2 C
Mitrovice
E premte, 10 Prill, 2026

Edhe AAK i kërkon Kurtit t’i kthejë sa më shpejt përgjigje Thaçit: Duan Qeveri me LDK’në

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë, do t’i përgjigjet “me kohë” presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në lidhje me kërkesën e tij për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re, kështu të paktën kanë thënë ditë më parë zyrtarët e VV’së, shkruan Gazeta Metro.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka shkruar letër kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke i kërkuar atij emrin e mandatarit të Vetëvendosjes për postin e kryeministrit, për të evituar vonesat rreth formimit të qeverisë së re.

Por, përgjigje për Thaçin nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka pasur akoma, por vetëm kanë thënë se do t’i përgjigjen me kohë.

E kjo vonesë ka shkaktuar pakënaqësi edhe në partinë që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, që me gjasë do të jetë partneri kryesor i LDK’së nëse ju jepet e drejta për formimin e qeverisë së re.

Deputeti i AAK’së, Pal Lekaj ka thënë për Gazetën Express se emri i mandatarit nuk duhet që të vonohet në pakufi, duke përdorur zbrazëtinë kushtetuese për këtë temë.

“ Është jashtë çdo etike politike prolongimi për faktin që nuk është saktësuar afati i kthimit të një përgjigje ndaj kërkesës së presidentit për mandatarin. Pra partia fituese e ka detyrim të përgjigjet ndaj kërkesës së presidentit edhe nëse e refuzojnë mandatarin ose në të kundërtën presidenti mund të pres deri në një kohë të arsyeshme (15 ditë ose edhe 30) dhe mos përgjigjen e partisë fituese ta marrë si refuzim për të mandatuar një kandidat pastaj është në dorën e presidentit të zgjedhë një mandatar që supozohet t’i ketë 61 vota të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka thënë deputeti i AAK’së.

Ani pse Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh afate se kur duhet të bëhet propozimi i emrit për mandatar, pas kërkesës së presidentit të shtetit, nga LDK’ja po kërkojnë që kjo të ndodhë brenda kësaj jave, duke iu përmbajtur një afati prej 15 ditësh, që e parashikon kushtetuta vetëm pasi që të dorëzohet emri.//gazetametro.net

TË FUNDIT

TË FUNDIT