Dhomat e Specializuara në Hagë ende mbesin brenda afatit të fundit 20 korrik për shpalljen e verdiktit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një përgjigje me shkrim për mediat kosovare, Gjykata ka rikujtuar se më 5 maj 2026 Trupi Gjykues nxori urdhër me të cilin afati për shpalljen e aktgjykimit u shty deri më 20 korrik, raporton Euronewalbania.
“Në atë urdhër, Trupi Gjykues deklaroi gjithashtu se, nëse një zgjatje e mëtejshme do të ishte absolutisht e nevojshme, ai do të nxirrte një urdhër për këtë çështje në kohën e duhur”, thuhet në sqarimin e Gjykatës.
Sipas Rregullës 159(1) të Rregullores së Procedurës dhe Provave, nëse rrethanat e rastit kërkojnë më shumë kohë sesa afati fillestar prej 90 ditësh, periudha shtesë nuk duhet të kalojë 60 ditë, përveç rasteve kur ekziston nevojë e domosdoshme për një shtyrje të mëtejshme.
Gjykata ka theksuar se “nëse Trupi Gjykues në këtë rast përcakton se nevojitet kohë shtesë, një vendim i tillë do t’u njoftohet palëve dhe do të bëhet publik”.
Gjykata në Hagë është akuzuar në Kosovë për trajtimin e padinjitetshëm të katër të burgosurve, por zëdhënësja Angela Grip ka përmendur vizitat humanitare të lejuara për të paraburgosurit.




