Nesër në të gjitha lokalet e Prishtinës, do të dëgjohen këngë të Nexhmije Pagarushës, të cilat do të jenë në sinkron, shkruan Gazeta Metro.
‘Bilbili’ i këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha vdiq sot në moshën 86 vjeçare, duke lënë pas një krijmtari të madhe. Në nder të Nexhmije Pagarushës, Shoqata e Gastronomëve të Prishtinës ka marrë vendim që nesër të dëgjohen këngët e divës, në të gjitha lokalet e kryeqytetit, të cilat do të jenë të lëshuara në sinkron, pra në të njëjtën kohë.
“Diva origjinale e trevave tona nesër do dëgjohet, në sinkron, në të gjitha lokalet e Prishtinës, në të njëjtën kohë, për të prodhuar një kontrast që bashkëvepron. Zëri i saj do shkrijë mërzinë tonë dhe në anën tjetër do ta ngrijë kujtimin për të në mendjet tona”, thuhet në njoftimin e Gastronomëve të Prishtinës.
Shoqata e ka marrë këtë vendim në koordinim me Vlora Dumoshin e cila është ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Varrimi i Nexhmije Pagarushës do të bëhet në Pagarushë të Malishevës, të dielën në ora 14:30, në një rreth të ngushtë. Njoftimi i plotë i Shoqatës së Gastronomeve të Prishtinës. /gazetametro.net