Dje, me anë të votave të asambleistëve në Kuvendin komunal u prapëua vendimi që e diela të jetë ditë pushimi dhe u vendos që të kthehet në ditë pune, shkruan mitrovicasot.net
Në lidhje me këtë ka reaguar ashpër kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri. Ai po e cilëson si të papranueshëm këtë dhe ka shkruar se është në kontakt me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal për të prapësuar këtë.
Ai ka paralajmëruar se nëse MAPL-ja lë në fuqi vendimin për të punuar të dielave, atëherë ai do ta respektojë këtë sepse nuk mund ta shkelë ligjin.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Mitrovicës, e veçarërisht të nderuar punëtorë dhe pronarë të bizneseve.
Në bashkëpunim dhe dakordim me ju, unë kohë më parë kam marrë vendim që e diela të jetë ditë pushimi në Mitrovicë, vendim i cili është mbështetur nga shumica absolute e pronarëve të bizneseve dhe gjithë punëtorët.
Ky vendim i imi iu mundësonte punëtorëve të pushojnë të dielen dhe këtë ditë ta kalonin pranë familjeve të tyre.
Mirëpo, koalicioni i fshehtë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, PDK-LDK, i përkrahur edhe nga disa gulerac të partive që janë në shuarje, kanë marrë vendim në Kuvendin Komunal që të punohet të dieleve në Mitrovicë.
Unë jam në kontakt me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, që ky vendim i dëmshëm për qytetarët nga Kuvendi Komunal të anulohet si i paligjshëm.
Po në qoftë MAPL-ja e lë në fuqi vendimin e koalicionit LDK-PDK për të punuar të dieleve, atëherë unë nuk mund ta shkeli ligjin duke refuzuar zbatimin e tij.
Të gjithë këtyre që për inati politike kanë marrë dhe po marrin vendime në dëm të qytetarëve, do t’ua kallxojmë vendin në zgjedhjet e ardhshme sikurse më 2013 dhe 2017.
AB