Qeveria në detyrë e Kosovës, ditë më parë mori vendim për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, afër urës kryesore që vazhdon të mbetet e mbyllur për qarkullim të automjeteve.
Ky vendim u prit me skepticizëm nga bashkësia ndërkombëtare, por edhe nga pala serbe, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.
Për këtë çështje është deklaruar edhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i.
Për Klankosova.tv, ky mision ka pohuar se vënia e gurthemelit për këto ura nuk është në kompetencën e tij.
Por theksoi se ushtarët e KFOR-it do të vazhdojnë të jenë në urën e Ibrit, si dhe të bëjnë patrullime në të Kosovën.
“Lidhur me pyetjet tuaja, çështja që ngritët është jashtë kompetencës së KFOR-it”.
“KFOR-i mban prani të fiksuar në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth për të siguruar një mjedis të sigurt”, ka thënë misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë.
Po ashtu, misioni ushtarak tha se ata kanë prani të dukshme dhe fleksibile në Mitrovicën e Veriut, si dhe në të gjithë Kosovën, dhe shtoi se është i gatshëm t’i përgjigjet çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë në dobi të të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Ditë më parë u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi mes komunarëve veriorë e jugorë dhe nivelit qendror, përkatësisht me Ministrinë Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për ndërtimin e këtyre urave.
Për krejt këtë projekt, komunat nuk do ta fusin dorën në xhep pasi të gjitha punimet do të mbështetet financiarisht nga Ministria e Infrastrukturës. /Klankosova.tv