Në Sallën e Kuvendit Komunal, Drejtoria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Qendrën e Mjekësisë Familjare “Dr. Nexhat Çuni”, sot kanë mbajtur takim me qytetarë për të shënuar ditën ndërkombëtare kundër Diabetit. Në këtë takim të pranishëm ishin drejtoresha e Shëndetësisë, Erseka Hasanaj Barani, drejtori i QKMF-së, Fevzi Sylejmani, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Teuta Fejza, kryeinfermierja e QKMF-së, Rukije Hajdari, personeli mjekësor, si dhe qytetarë tjerë të interesuar. Qëllimi i këtij takimi ishte sensibilizimi i qytetarëve për të kontrolluar sa më shumë nivelin e sheqerit në gjak si dhe të dinë më shumë rreth masave parandaluese të diabetit.
Me këtë rast drejtoresha Barani, theksoi se trendi i kësaj sëmundje është në rritje e sipër, andaj si kujdes parësor tha se e kanë për obligim të kujdesen më mirë rreth informimit të qytetarëve për një jetesë të shëndetshme dhe parandalimin e rritjes së këtij trendi. “Është një numër i konsiderueshëm i fëmijëve në qytetin tonë të cilët përballen çdo ditë me problemet e diabetit, kështu që ne kemi për qëllim të përkrahim këtë sfidë dhe bashkërisht të tejkalojmë më lehtë atë”, tha ndër të tjerash drejtoresha Barani.
Po ashtu drejtoresha Barani, ka njoftuar të pranishmit se Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, ka një fond për subvencionimin e qytetarëve të cilët janë të prekur nga sëmundje të ndryshme, dhe do të jetë e përkushtuar tu ofroj përkrahje vazhdimisht qytetarëve të qytetit të Mitrovicës. Ndërkaq, gjatë ditës personeli shëndetësor nga QKMF-ja kanë qëndruar në sheshin e qytetit duke shpërndarë fletushka informuese rreth jetesës së shëndetshme dhe parandalimin e diabetit, njëkohësisht kanë bërë edhe matjen e sheqerit në gjak. Në fund Drejtoria për Shëndetësi ka bërë edhe shpërndarjen e disa glukometrave si dhe pajisjeve tjera përcjellëse për fëmijët e diagnostikuar me diabet.