Në historinë e qytetit të Mitrovicës, emri i Dr. Shaqir Demirit nuk është vetëm emër i një mjeku të përkushtuar, por simbol i guximit, përkushtimit dhe dashurisë për atdheun. Që nga kthimi i tij nga Zagrebi në vitin 1986, së bashku me bashkëshorten e tij tashmë të ndjerë, Dr. Sanije Shala Demiri, ai nisi një rrugëtim profesional që do ta shndërronte në një figurë të dashur për qytetarët dhe një shtyllë të rëndësishme të shëndetësisë në Mitrovicë, shkruan Mitropol.
Në fillim të viteve ’90, kur regjimi serb përjashtoi nga puna mjekët shqiptarë, Dr. Shaqa – siç e njohin të gjithë – nuk u dorëzua. Në vend se të largohej nga vendi, ai zgjodhi të qëndronte dhe ta shërbente popullin me themelimin e institucionit të parë privat shëndetësor në Mitrovicë. Ordinanca e tij specialistike në fushën e ORL-së u bë vendi ku qytetarët gjenin jo vetëm shërim, por edhe siguri dhe ngushëllim në kohë të errëta.
Kontributi i tij nuk u ndal me kaq. Në vitin 2012, Dr. Demiri, në cilësinë e drejtorit të Shëndetësisë, inicioi për herë të parë në Republikën e Kosovës projektin e vizitave sistematike mjekësore për nxënësit, që u zbatua me sukses në Mitrovicë. Ky projekt u vlerësua si model për kujdesin parësor shëndetësor në shkolla, ndërsa në vitin 2023, Komuna e Mitrovicës i ndau atij një mirënjohje të veçantë për këtë kontribut. Ai mbetet një shembull se si vizioni profesional mund të kthehet në politika konkrete për mirëqenien publike.
Por ndoshta më i çmuari është kontributi i tij gjatë luftës së fundit në Kosovë. Si mjek i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dr. Demiri shërbeu pranë vetë komandantit legjendar Adem Jashari. Ai ishte një ndër të paktët që pati guximin dhe përgjegjësinë që ta mjekonte disa herë themeluesin e UÇK-së, duke rrezikuar jetën e tij për të shpëtuar të tjerët. Ky akt vetëflijimi dhe besimi i padiskutueshëm që familja Jashari kishte ndaj tij, e ngulitën përfundimisht emrin e tij në historinë kombëtare.
Sot, pas më shumë se tri dekadash kontribut, trashëgimia e Dr. Shaqir Demirit po vazhdon me dinjitet edhe nga djali i tij, Dr. Edin Demiri, dhe reja e tij, Dr. Arta Sinanaj Demiri. Institucioni që ai themeloi është shndërruar në një qendër moderne shëndetësore, që ofron shërbime të avancuara në fushën e ORL-së, kirurgjisë orale, stomatologjisë dhe estetikës. Historia e Dr. Demirit është dëshmi e qartë se përkushtimi ndaj profesionit dhe dashuria për vendin lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën kolektive të një kombi.
Veç Dr. Edinit, edhe djali tjetër i Dr. Shaqës, Kujtimi menaxhon suksesshëm me deponë dentare, Consano, e cila është lidere e produkteve cilësore të fushës./Mitropol