Fushata elektorale ka filluar në Kosovë, por ajo që shihet dhe po kritikohet nga të gjithë janë tubimet që po organizojnë partitë politike dhe po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.
Koalicioni i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim ka vërejtur se në tubimet elektorale të partive politike në tri ditët e para të fushatës zgjedhore të 14 shkurtit nuk janë respektuar masat anti-COVID.
Jeta Krasniqi nga DnV,e ka dënuar ashpër papërgjegjësinë e partive të cilat me anë të aktiviteteve të tyre partiake po shkaktojnë grumbullime të njerëzve edhe në hapësira të mbyllura.
“Ajo që DnV ka evidentuar nga këto monitorime ka qenë në pjesën dërrmuese të aktiviteteve qendrore subjektet politike nuk janë përmbajtur kufizimeve të vendosur nga IKSHP-ja për masat anti-COVID, dhe kjo ka ndodhur qoftë në aktivitetet e organizuara në ambientet e mbyllura, po ashtu edhe ato që janë organizuar në ambientet e hapura.
Kemi parë që subjektet politike kanë vazhduar me grumbullim të qytetarëve dhe nuk është përfill as numri i pjesëmarrësve por nuk është përfillur as distanca apo qoftë maskat gjatë kohës kur ka grumbullim të njerëzve.
DnV dënon ashpër papërgjegjshmërinë e subjekteve politike të cilat me anë të aktiviteteve të tyre zgjedhore janë duke e vënë në rrezik qoftë shëndetin dhe jetën e qytetarëve.
Jemi duke e parë që grumbullimet, pa përfilljen e masave mund të shkaktojnë pasojat të cilat institucionet tona, qoftë në aspektin shëndetësor, qoftë në atë ekonomik do e kenë të vështirë për ta përballuar”, u shpreh Krasniqi.
Nga ky monitorim del se partitë politike krahas premtimeve të tyre kanë përdorur edhe gjuhë nxitëse ndaj subjekteve të tjera me baza politike.





