Palestra “Sportica” në Gravelines të Francës është përfshirë të hënën nga zjarri. Sipas raportimit të mediave franceze, kompleksi sportiv është shkatërruar i tëri nga zjarri që u përhap shpejt.
Palestra ishte shtëpi e skuadrës së basketbollit BCM Gravelines Dunkerque. Nënkampionia e Kosovës, Trepça, kishte luajtur në atë palestër më 1 nëntor në kuadër të fazës grupore të FIBA Europe Cup. Kishte pësuar nga Gravelines me rezultatin 83:49, para se ta mposhte këtë skuadër në “Minatori”.
Palestra kishte hapësirë prej 25 mijë metrash katrorë, ndërsa ka përfshirë edhe një pishinë dhe objekte të tjera përcjellëse.
Nuk dihet ende se si shpërtheu zjarri, që fillimisht u pa para orës 13:00 në pjesën e pishinës. Shpejt zjarri përfshiu gjithë kompleksin. Tymi është parë kilometra larg nga qyteti.
Sipas mediave franceze, shtatë stacione të zjarrfikësve janë mobilizuar për të lokalizuar zjarrin. Synimi ishte që të shpëtohej salla e basketbollit, por kjo ishte e pamundur. Ajo sallë kishte shumë histori të basketbollit francez.
Të enjten është dashur të luhej ndeshja e Gravelines me Paris Basketball. Por ndeshja do të shtyhet. Palestra kishte kapacitet prej 3000 ulësesh.
“Faleminderit të gjithëve për përkrahjen. Zjarrfikësit po bëjnë çdo gjë për të ndalur këtë zjarr të tmerrshëm që po e shkatërron ‘Sportican’ tonë. Falënderojmë këta heronj”, ka shkruar Gravelines.
Më pas presidenti i klubit, Christian Devos, ka theksuar se palestra është shkatërruar.
“Nuk ka më palestër të basketbollit. E tëra është zhdukur në tym”, ka thënë Devos. “40 vjet të jetës në ‘Sportica’ janë zhdukur në tym”.
Ai ka theksuar se do të ishte katastrofale nëse në palestër do të kishte njerëz, apo pishina do të ishte e hapur. Por të hënën kompleksi ishte i mbyllur.
©KOHA.