Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se menaxhimi i krizës së inflacionit nga Qeveria e Kosovës ka qenë një dështim monumental. Sipas saj, përtej “spektaklit me Ligjin për Çmimet Tavan”, pushteti zgjodhi të qëndrojë në një apati të frikshme, duke vëzhguar me indiferencë “transferimin e pasurisë nga xhepat e qytetarëve në arkën e shtetit.”
Në një intervistë për gazetën Nacionale, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, tha se menaxhimi i krizës së inflacionit nga Qeveria e Kosovës ka qenë një dështim monumental.
Bajrami çjerri në tërësi narrativën e rritjes ekonomike dhe të buxhetit nga ekzekutivi, duke e cilësuar atë si një mirazh të krijuar nga progresi nominal “në kurriz të inflacionit”. Ajo ekspozoi një tjetër dimension të krizës në këtë drejtim – dështimin për ta shpenzuar atë në mënyrë efektive, duke marrë si referencë investimet kapitale, për të cilat tha se janë më të ulëtat në historinë e pas-pavarësisë së Kosovës.
Pretendimet mbi punësimin, Bajrami i shpërpjesëtoi në raport me indikatorët e formalizimit të punësimit dhe migrimin e fuqisë punëtore, fenomen që u pasua nga pozitat vakante dhe mundësi punësimi për të papunët. Në anën tjetër, ajo theksoi se rritja eksponenciale e deficitit tregtar mbetet dëshmitar përgënjeshtrues i pretendimeve të qeverisë për mbështetjen e bizneseve vendore.
Në këtë kontekst, ajo akuzoi kreun e qeverisë se, në vend që të krijojë një klimë të favorshme për investitorët, e ka përkeqësuar atë me deklarata për luftë që ushqejnë pasiguri te investitorët.
Deputetja e LDK-së gjithashtu e bëri përgjegjëse në mënyrë të drejtpërdrejtë Qeverinë aktuale për reduktimet e ashpra me të cilat po përballen qytetarët në furnizimin me energji elektrike.
Në fund, zonja Bajrami e quajti shpërndarjen e buxhetit në fund të mandatit si një “skemë e korrupsionit publik” nga qeveria, në dritën e përpjekjeve për të maskuar dështimin katërvjeçar./nacionale.com