6.6 C
Mitrovice
E hënë, 31 Mars, 2025
spot_imgspot_img

Derbi i madh në Prishtinë

Sigal Prishtina – Trepça është derbi i madh i xhiros së 25-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Kjo ndeshje zhvillohet të dielën nga ora 20:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Të dy skuadrat e kërkojnë vendin e parë në tabelë, që në plejof të jenë në pozitë sa më të përshtatshme. Aktualisht lider është Bashkimi me 41 pikë, ndërsa Trepça renditet e dyta me 40.

Prishtina është e treta me 39 pikë.

Deri në fund të stinorit të rregullt kanë mbetur edhe katër xhiro.

Prishtina e Trepça tradicionalisht kanë rivalitet të madh. Në vitet e fundit kanë dominuar mitrovicasit, por këtë edicion Prishtina nisi të reagojë.

Në kuadër të xhiros së katërt, Sigal Prishtina e mposhti Trepçën në Mitrovicë me rezultat 82:76. Në xhiron e 11-të, “xehetarët” fituan në Prishtinë me rezultat 81:68. Dy skuadrat u përballën në Mitrovicë edhe në kuadër të xhiros së 18-të, ndërsa fitore 88:86 shënoi Prishtina.

Prishtina ishte në seri të nëntë fitoreve, por u mposht thellë, 85:62, nga Ylli në xhiron e kaluar. Ajo ndeshje u zhvillua në kryeqytet.

Ndërkohë Trepça në xhiron e kaluar shënoi fitore të vështirë ndaj Vëllaznimit, 63:59. Ajo fitore mbeti në hije të përplasjes mes trajnerit Adis Beqiragiq dhe njërit prej lojtarëve më të rëndësishëm, Mikaile Tmushiq. Për pak u shmang konflikti fizik mes tyre.

Më herët në ndeshje, një kacafytje e kishin basketbollisti i Trepçës, Michael Myers dhe ai i Vëllaznimit, Antwan Walker. Myers e goditi me top në fytyrë Walkerin. Për atë veprim është dënuar me një ndeshje moslojë dhe nuk do të jetë në dispozicion të Beqiragiqit për ndeshjen e së dielës.

Të dielën është edhe ndeshja mes Proton Cable Prizrenit dhe Vëllaznimit, që po ashtu fillon në orën 20:00.

Prizreni është i fundit me 29 pikë dhe thuajse pa gjasa për të mbetur në elitë. Vëllaznimin e pret punë e vështirë për ta mbajtur pozitën e pestë në të cilën gjendet aktualisht. I ka 35 pikë sa edhe Golden Eagle Ylli në vendin e gjashtë. Peja është e katërta me 37 pikë, ndërsa Bora e shtata me 32 pikë.

Dy ndeshjet e para të xhiros së 25-të janë të shtunën prej orës 20:00. Lideri Bashkimi llogaritet favorit ndaj Borës në kryeqytet.

Ndërkohë ndeshje e fortë pritet të jetë ajo mes Golden Eagle Yllit dhe Pejës, që zhvillohet në Suharekë. Ylli para Prishtinës e mposhti edhe Trepçën dhe duket që ka gjetur formën në momentin e duhur, ndonëse po përballet me lëndime. Peja është në seri prej tri fitoreve dhe po ashtu po e kërkon vazhdimësinë e rezultateve në fazën vendimtare të kampionatit.

Yllit pos rezultatet në vazhdimësi, i ka munguar edhe përkrahja e tifozëve. Palestra në Suharekë ishte kryesisht e zbrazët.

“Tifozë të dashur, ku ishit deri tani?”, ka pyetur Ylli përmes një postimi. Klubi suharekas ka bërë thirrje për përkrahje të tifozëve në ndeshjen ndaj Pejës. Tek Ylli thonë se janë në kulm të formës.
“Sa herë vjen pranvera, Ylli shkëlqen. Në momentet vendimtare, kur duhet më së shumti, ne gjithmonë kemi qenë në majë, duke fituar tituj dhe duke bërë histori. Por një gjë ka munguar – ju. Palestra ka qenë e zbrazët kur ne kemi dhënë gjithçka në parket. Ku ishit kur na duhej zëri juaj? Ku ishit kur skuadra e qytetit tuaj po bënte atë që gjithmonë e bën në pranverë – lufton për lavdi?”, shkruan tutje në postimin e Yllit.

Skuadrat e pozitës një e dy kalojnë direkt në gjysmëfinale të plejofit. Skuadrat prej pozitës së tretë deri në pozitën e gjashtë luajnë në çerekfinale të plejofit.

Superliga – XXV

E shtunë (20:00)

Bora – Bashkimi
Golden Eagle Ylli – Peja

E diel (20:00)

Sigal Prishtina – Trepça
Proton Cable Prizreni – Vëllaznimi

1. Bashkimi 24 41
2. Trepça 24 40
3. S. Prishtina 24 39
4. Peja 24 37
5. Vëllaznimi 24 35
6. G.E. Ylli 24 35
7. Bora 24 32
8. P.C. Prizreni 24 29

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT