18.6 C
Mitrovice
E premte, 18 Korrik, 2025
spot_imgspot_img

Deputeti gjerman: Gjermania ta dyfishojë mbështetjen për Kosovën

Zëdhënësi për politikë të jashtme i Social Demokratëve në Gjermani (SPD), Addis Ahmetovic, ka kërkuar që vendi i tij të rrisë ndjeshëm mbështetjen për Kosovën, duke theksuar se stabiliteti në Ballkanin Perëndimor varet nga përfshirja e plotë e rajonit në strukturat euroatlantike.

Ahmetovic tha se integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është rruga e vetme për të garantuar paqe dhe siguri afatgjate në rajon.

“Duhet të monitorojmë situatën në Ballkanin Perëndimor çdo ditë dhe në baza të vazhdueshme. Politika për këtë rajon nuk duhet të kufizohet vetëm në nxitjen ekonomike, por duhet të mbetet pjesë përbërëse e agjendës sonë të politikës së jashtme. Po i ndjek me kujdes zhvillimet në Shqipëri, Serbi dhe Kosovë. Ne jemi të interesuar që situata politike të jetë stabile. Për Kosovën, kjo nënkupton konkretisht se duam që ky shtet të bëhet anëtar i Këshillit të Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur; nga perspektiva e SPD-së, sa më shpejt”, deklaroi Ahmetovic.

Ai tha se, ndonëse nuk mund të japë një datë konkrete se kur Gjermania do ta adresojë çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ai dhe kolegu i tij Frank Schwabe do të angazhohen që kjo çështje të mbetet prioritet për SPD-në në Bundestag.

“Më vjen keq që kjo nuk u realizua në mandatin e kaluar, edhe pse ekzistonte një moment strategjik që duhej shfrytëzuar. Ndoshta do të kishte qenë e mundur me më shumë presion politik”, shtoi ai.

I pyetur për përgjegjësinë politike në këtë dështim, Ahmetovic theksoi se qeveria gjermane do të duhej të kishte bërë më shumë përpjekje për të bindur shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, duke theksuar se Gjermania ka një ndikim të madh dhe duhet ta ushtrojë atë me vetëbesim.

Zyrtari i SPD-së shtoi se përveç anëtarësimit në BE, edhe NATO mbetet një prioritet për Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit.

“Anëtarësimi në NATO është të paktën po aq i rëndësishëm sa anëtarësimi në BE. Të dyja, si BE-ja ashtu edhe NATO-ja, janë thelbësore për një jetë në paqe, liri dhe siguri. Nuk mund ta vlerësoj saktësisht se kur do të ndodhë kjo, por si deputet i SPD-së, do të vazhdoj të luftoj për këtë çështje”, tha ai për DW, duke theksuar se Kosova, Serbia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të përmbushin detyrat e tyre për të ecur përpara në këtë proces.

Ahmetovic komentoi edhe situatën politike në Kosovë, ku pas afro 50 përpjekjesh, Kuvendi nuk po arrin të konstituohet.

Ai e cilësoi Lëvizjen Vetëvendosje si parti simotër të SPD-së, ndërsa theksoi nevojën për një qeveri të qëndrueshme dhe një parlament funksional, pa dhënë koment mbi vetë bllokadën.

“Mbaj kontakte të ngushta me qeverinë e Kosovës. Ne duam një veprim qeveritar të qëndrueshëm dhe një parlament funksional. Kjo është thelbësore për të gjithë hapat pasues. Vetëm nëse kjo vazhdon të ketë sukses, Kosova do të mund të avancojë në Këshillin e Evropës, në procesin e anëtarësimit në BE dhe, ndoshta së shpejti, edhe në NATO. Këto procese janë ngushtësisht të ndërlidhura”, theksoi ai.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT