Ka dështuar sërish ndryshimi i Ligjit për Automjete, me anë të të cilit do të hiqej homologimi i veturave.
Me 32 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, nuk ka arritur të kalojë ndryshimi i Ligjit për Automjete, në mungesë të kuorumit.
Ndryshimi i këtij Ligji, i propozuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, do të hiqte homologimin e veturave që vijnë nga jashtë Kosovës.
Për kontrollimin e veturave që vijnë nga jashtë e që shteti i ka dhënë gjithmonë licencë vetëm kompanisë QAK – Eurolab, në pronësi të Shkëlqim Devollit, homologimi është konsideruar edhe nga Bashkimi Evropian si i panevojshëm.
Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Automjete ka dalë edhe herëve të tjera në votim, por ka dështuar. Gjatë debatit parlamentar për këtë propozim partitë e koalicionit qeverisës, LDK, AAK e Nisma kanë qenë kundër. As PDK-ja nuk e ka përkrahur kalimin e ndryshimeve të ligjit.
Pro kanë dalë publikisht dy deputetët e AAK-së, Bekë Berisha e Donika Kadaj – Bujupi. /Express/