9.9 C
Mitrovice
E enjte, 9 Prill, 2026

Demostat: Ky është modeli i mundshëm për Asociacionin që po qarkullon në qarqet ndërkombëtare

Emisarët ndërkombëtarë pas vizitës së djeshme që kanë zhvilluar në Prishtinë dhe Beograd kanë ritheksuar fuqishëm se kërkojnë nga Kosova themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Nga institucionet e Kosovës ende s’ka pasur ndonjë propozim se si do të mund të dukej dhe themelohej Asociacioni, ndërkohë instituti gjerman Friedrisch Ebert Stiftung e ka hartuar një draft të cilin edhe pritet që ta bëjë publik në ditët në vijim.

Por siç shkruan “Demostat” sot, një prej modeleve që po qarkullon në qarqet diplomatike si Paris e Bruksel është ai i Belgjikës Lindore. Siç shkruan kjo gazetë, shembulli i Ishujve Aland, Tirolit Jugor dhe Belgjikës Lindore po shihen si modele potenciale për zgjidhjen e problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në artikullin e publikuar në gjuhën serbe, “Demostat” ka elaboruar edhe mënyrën e funksionimit të këtyre modeleve mbi bazën e të cilave jetojnë pakicat.


Siç shkruan “Demostat” komuniteti gjerman folës në Belgjikë përfshin nëntë komuna, ka asamblenë, qeverinë dhe flamurin e vet.

Përgjegjësitë që ajo vendos kanë të bëjnë me shëndetin dhe mbrojtjen sociale, arsimin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore, formimin profesional, punësimin, median, turizmin, sportin, politikën lokale, si dhe financat.

“Falë sistemit politik shumë të decentralizuar të Belgjikës, “Ostbelgien” ka gjithashtu aftësinë për të vënë veton ndaj traktateve ndërkombëtare, duke përfshirë marrëveshjet tregtare të BE-së”, shkruan Demostat.

Ndërkohë tregohet që Parlamenti i tyre ka 25 anëtarë dhe njëri prej tyre është përfaqësuesi i komunitetit në Senatin federal belg.

Anëtarët e Parlamentit belg zgjidhen drejtpërdrejt. Qeveria e komunitetit gjerman folës përbëhet nga zv.presidenti dhe tre ministra të tjerë.

I dërguari i SHBA’së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha dje pas vizites ne Kosove e Serbi se Asociacioni do të bëhet, me ose pa vullnetin e kryeministrit Kurti.

Escobar ka deklaruar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të arrihet përmes partnerëve, dhe se një person [Kurti] nuk mund ta shmang këtë obligim ligjor.


“Shikoni, një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar. Ky është fakt. Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit”, tha ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Escobar theksoi se qëllimi i Asociacionit është që veriu i Kosovës të bëhet më funskional.

Ai shtoi se bashkësia ndërkombëtare kërkon që kjo të bëhet, dhe se po pret që edhe Kurti ta ketë të qartë këtë.

“Ne do të fillojmë këtë muaj të flasim me njerëzit që kanë ide shumë të mira dhe ne në fakt flasim për madhësinë e klasave në shkolla, mbledhjen e mbeturinave, apo shërbimet e ndihmës mjekësore, asgjë frikësuese. Ne flasim se si ta bëjmë veriun e Kosovës më funksional dhe më të lidhur me qeverinë në Prishtinë. Ne do ta bëjmë këtë. Çështja është se në ç’pikë Kosova do ta ketë të qartë se bashkësia ndërkombëtare e pret që ta bëjë këtë, kërkon që ta bëjë këtë”, tha tutje Escobar.

“Kurti nuk ka nevojë të pajtohet, Kosova është pajtuar”, theksoi ai.

Ndër të tjera, Escobar tha se do të fillojnë bisedimet në shkallë vendi mbi atë “se çfarë nënkupton ky detyrim për qytetarët e Kosovës”.

TË FUNDIT

TË FUNDIT