Antony Blinken bëri bujë në opinionin kosovar pasi mbrëmë deklaroi haptas se mbështeste dhe “duartrokiste” progresin e bërë nga administrata Trump në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi që kishte kulmuar me Marrëveshjen e 4 shtatorit – të cilën kryetari i VV-së, Albin Kurti, ka deklaruar haptas se nuk do ta njohë.
Një tjetër pikë e rëndësishme në të cilën është kritikuar Kosova ka të bëjë me Jerusalemin. Kryeministri Hoti ishte zotuar se pasi të merrte njohjen nga Izraeli, do ta njihte Jerusalemin si kryeqytet të këtij vendi.
Bashkimi Evropian ka një qasje tjetër në lidhje me çështjen.
Por, shumë demokratë në ShBA, përfshirë edhe mikun e madh të Kosovës Eliot Engelin, i kanë dhënë mbështetje veprimit të guximshëm të Donald Trump.
Njeriu i zgjedhur nga Biden për ta drejtuar Departamentin e Shtetit, Antony Blinken, u pyet dje se a do ta vazhdonte politikën e Trumpit në këtë drejtim.
I pyetur nëse e njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, Blinkeni tha “Po.” Dhe i pyetur nëse ambasada e Shteteve të Bashkuara do të mbeste në Jerusalem, Blinkeni përsëri tha “Po.”
Blinken deklaroi se një zgjidhje ideale për konfliktin Izrael-Palestinë do të ishte ajo me dy shtete, “sado e largët qoftë”.
Natyrisht, edhe në këtë pikë ka ndasi të mëdha në Kosovë.




