13 C
Mitrovice
E premte, 30 Maj, 2025
spot_imgspot_img

“Defender Europe 2025”, një divizion i ushtrisë amerikane do të vendoset në Kosovë, stërvitje me FSK-në

Rreth 180 pjesëtarë nga Divizioni i 28-të i Këmbësorisë i Gardës Kombëtare të Ushtrisë Amerikane të Pensilvanisë do të vendosen në Kosovë për të marrë pjesë në ushtrimin “Immediate Response 25” së bashku me Forcën e Sigurisë së Kosovës në kuadër të stërvitjes “Defender Europe 2025”.

Kjo është bërë të ditur në një njoftim të lëshuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Ky ushtrim shënon një komponent kritik të përpjekjeve të Ushtrisë Amerikane për të rritur gatishmërinë, për të demonstruar aftësitë e vendosjes së shpejtë strategjike dhe për të përforcuar bashkëpunimin me Aleatët dhe partnerët e NATO-s”, thuhet në njoftim.

I planifikuar nga 26 maji deri më 9 qershor, “Immediate Response 25” është një nga tre ngjarjet kryesore të trajnimit DEFENDER 25 dhe përfshin më shumë se 12,000 trupa nga SHBA-ja, Aleatët dhe vendet partnere. Aktivitetet përfshijnë tetë vende: Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Kroaci, Greqi, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut dhe Sllovaki. Në Kosovë, Divizioni i 28-të i Këmbësorisë dhe FSK do të marrin pjesë në “Immediate Response 25” si një seli divizioni që mbikëqyr një brigadë shumëkombëshe. Ushtarë nga Divizioni i 28-të i Këmbësorisë, së bashku me anëtarë të Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Ajovës dhe FSK-së, do të marrin pjesë gjithashtu në një stërvitje kombëtare në Zonën e Trajnimit Babaj Bokës (BBTA) më 3 qershor, vijon njoftimi.

Ambasada thotë se ky angazhim mbështet planin gjithëpërfshirës të tranzicionit të FSK-së, duke çuar përpara evolucionin e saj në një forcë mbrojtëse territoriale shumëetnike, të ndërveprueshme me NATO-n

DEFENDER 25, e udhëhequr nga Ushtria Amerikane për Evropën dhe Afrikën, përfshin mbi 25,000 trupa nga 29 vende aleate dhe partnere, duke përdorur 14 porte ajrore të ngarkimit në Shtetet e Bashkuara dhe duke vendosur më shumë se 3,000 pajisje në 18 vende pritëse. Qëllimi kryesor është të demonstrojë aftësinë e Ushtrisë Amerikane për të lëvizur me shpejtësi personelin dhe pajisjet nga SHBA-ja kontinentale në Evropë për Operacione Luftarake në Shkallë të Madhe dhe për të ekzekutuar misione pasuese së bashku me Aleatët dhe partnerët, përfundon njoftimi./Reporteri.net/

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT