20.5 C
Mitrovice
E diel, 13 Korrik, 2025
spot_imgspot_img

Debati në Bundestag: Srebrenica nuk ishte e vetmja, Serbia kreu gjenocid edhe në Kosovë

Parlamenti i Gjermanisë (Bundestagu) mbajti një seancë të veçantë përkujtimore për 30-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, ku në korrik të vitit 1995 u vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë nga forcat serbe të Bosnje-Hercegovinës.

Në sallën e Bundestagut, përveç deputetëve, të pranishëm ishin edhe dy të mbijetuar të gjenocidit, ambasadori i Bosnjë-Hercegovinës në Berlin, Damir Arnaut, si dhe ambasadori i Kosovës, Faruk Ajeti.

Ligjvënësit gjermanë i dhanë ton të ashpër historik dhe politik seancës, duke përkujtuar viktimat dhe duke dënuar me forcë qasjen e Serbisë dhe aleatëve të saj ndaj luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi.

Deputeti i CDU-së, Michael Brand, mbajti një nga fjalimet më emocionale dhe të drejtpërdrejta në seancë, ku tha:

“Është gabim të thuhet se lufta e Putinit kundër Ukrainës, është lufta e parë në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore, pra që nga vitit 1945. Qysh në vitin 1991, Serbia e mbështetur nga Rusia, ka udhëhequr luftëra ndaj fqinjëve të saj. Më 1991 kundër Sllovenisë e Kroacisë, më 1992 në Bosnjë Hercegovinë, dhe më 1998-1999 luftën në Kosovë. Evropa nuk kishte qëndrim të qartë për këto luftëra. Kishte vetëm fjalë në vend që të veprohej”, tha ai.

Ai përmendi edhe deklaratën famëkeqe të presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili dikur kishte thënë: “Nëse ju e vrisni një serb, atëherë ne vrasim 100 myslimanë.”

Brand e quajti Vuçiqin trashëgimtar të politikave të Millosheviqit, duke e akuzuar për propagandë, urrejtje ndaj Evropës dhe lidhje të forta me Vladimir Putinin.

Deputetja tjetër, Jasmina Hostert – e lindur në Sarajevë dhe e plagosur në luftë, mbajti gjithashtu një fjalim emocional që preku të gjithë të pranishmit. Ajo foli për dhimbjen personale dhe rëndësinë e përballjes me të kaluarën.

Momente tensioni pati kur një deputet nga partia ekstremiste e djathtë, AFD, relativizoi përkufizimin e masakrës si gjenocid – çka u kundërshtua fuqishëm nga pjesa tjetër e deputetëve.

Në maj të vitit të kaluar, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara shpalli 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë, përmes një rezolute të sponsorizuar nga Gjermania.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT