Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se bashkëpunimi në fushën e energjetikës është një prej shtyllave të bashkëpunimit ekonomik me partnerët evropianë. Kështu kanë thënë nga Washingtoni të pyetur lidhur me kërkesën e SHBA-së që Kosova të lidhet me rrjetin e gazit amerikan dhe qëndrimin e Qeverisë Kurti për të mos ndërtuar rrjet të LNG-së brenda Kosovës por për t’u kyçur në centralin e Vlorës.
Nga DASH thonë se bashkëpunimi në fushën energjetike rrit dhe sigurinë e Evropës.
“Eksporti i energjisë amerikane është një shtyllë qendrore në bashkëpunimin tonë ekonomik me partnerët evropianë. Eksportet e energjisë amerikane forcojnë sigurinë energjetike në Evropë”, kanë thënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit për Express.
Sa i përket Kosovës, nga DASH kanë thënë se SHBA është e gatshme për të bashkëpunuar me industrinë energjetike amerikane dhe Qeverinë e Kosovës për një të ardhme të sigurt energjetike përmes diversifikimit të furnizimit me energji elektrike, ku përfshihet edhe Gazi i Lëngshëm Natyror (LNG)
“Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të bashkëpunojnë me industrinë energjetike të SHBA-së dhe Qeverinë e Kosovës për të siguruar të ardhmen energjetike të Kosovës përmes diversifikimit të furnizimit me energji, duke përfshirë edhe LNG-në amerikane”, kanë thënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Kërkesa që Kosova t’i bashkohet rrjetit amerikan të gazit ka pasur edhe nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë. E ngarkuara me Punë në Ambasadën amerikane, Annu Prattipati, e ka bërë një gjë të tillë përmes një shkrimi autorial të botuar ditë më parë.
Edhe zyrtari për çështje ekonomike në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Micah Savidge, ka thënë se Kosova rrezikon të humbasë mundësi të rëndësishme investimi, nëse nuk siguron furnizim të qëndrueshëm me energji.
Ai ka kërkuar madje që Kosova të ndërtojë një central të gazit. Këto deklarime kanë ardhur pas qëndrimit të kryeministrit, Albin Kurti, se Kosova mund të lidhet në centralin e Vlorës dhe nga atje të importojë energji elektrike.
Projekti i gazit amerikan kishte qenë temë edhe në vitin 2021 kur MCC kishte vendosur fonde në dispozicion që Kosova të lidhet me gazsjellësin amerikan. Megjithatë ai projekt nuk ishte përzgjedhur nga Qeveria Kurti dhe ishte vendosur që ato fonde të shpenzoheshin për projektin e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike.




