Gazeta opozitare serbe Danas ka zbuluar detaje nga versioni i ri i propozimit franko-gjerman që u dorëzua te Kosova dhe Serbia nga Mirosllav Lajçak gjatë kësaj jave.
Sipas asaj që shkruan kjo gazetë, nuk ka devijime prej disa parimeve themelore – Kosova merr njohjen, përkatësisht anëtarësimin në Këshill të Evropës – kurse Serbia merr Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Këto Danasi pretendon t’i ketë mësuar nga qarqet diplomatike.
Se versioni më i fundit u është dorëzuar palëve e ka konfirmuar edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
Sipas burimeve të mediumit të lartpërmendur, nuk do të ketë garantim të anëtarësim të dy vendeve në Bashkimin Evropian (BE) por se do të ketë investime dhe fonde të ndryshme.
Sipas bashkëbiseduesve të Danasit, thuhet që në dokumentin e ri të propozuar është ndryshuar “ideja fillestare për formimin e Asociacionit të Komunave me Sshumicë Serbe” dhe se nuk do të jetë fjala për Asociacionin e paraparë sipas marrëveshjes së Brukselit të vitit 2015.
Danas thotë se presidenti i Serbisë Vuçiq ka vetëm pak javë që të shprehë mendimin e tij për propozimin e ri.
Nuk është dokument historik
Më tej, aty thuhet se marrëveshja e planifikuar si ligjërisht detyruese do të reduktohet në udhëzim detyrues dhe “sigurisht se nuk do të jetë dokument historik”
Kujtojmë se edhe portali Euractiv kishte zbuluar detaje të tjera nga burime diplomatike.
Ato thonin se marrëveshja duhej të arritej për më pak se një vit, dhe se drafti i ri ishte bzauar në komentet e bëra.
Sipas atij diplomati, propozimi përmban një shtojcë “me një kalendar të qartë me veprime se kur dhe se si duhet të ndodhin gjërat,”
“Nuk ka njohje e plotë (…) por është një normalizim i plotë i marrëdhënieve,” – shtoi zyrtari i lartë i BE-së për këtë portal.
Kryeministri Kurti fillimisht e kishte vlerësuar si “bazë të shëndoshë drejt rrugës së duhur” propozimin që e kishte marrë më 9 shtator të këtij viti në zyren e tij. Ai besohet që e mori draftin e ri po në zyren e tij sot nga Lajçak.
Situata ndërkohë është përkeqësuar në terren, me shpërthime dhe sirena që se kanë ndodhur në veri të Kosovës. E gjitha ka të bëjë me zgjedhjet e parakohshme lokale të 18 dhjetorit.
Për fat të mirë, deri tash nuk ka pasur raportime për të lënduar nga komunat veriore.
Gjatë ditës së sotme, Bashkimi Evropian (BE) ka pranuar se i është bërë ftesë edhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq por edhe kryeministrit të Kosovës për një takim të përbashkët në Bruksel.