Ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka treguar synimet që presidentja Vjosa Osmani ka pasur me shkarkimin e saj.
Më këtë veprim, ka thënë ajo, e para e shtetit kishte për synim shkatërrimin e institucionit që organizon zgjedhjet në Kosovë.
Në një intervistë për Vox Kosova, ajo ka deklarua se këtë e kanë vërtetuar dy palë zgjedhjet e fundit.
“Natyrisht që tash ndoshta nga kjo perspektivë dhe nga krejt kjo që po ndodh këto ditë me KQZ-në dhe me zgjedhjet, sidomos me këto dy proceset e fundit, vërehet se cila ka qenë intenca e shkarkimit tim. Ajo ka qenë që KQZ-ja, thjesht ta them vrazhdë, të shkatërrohet”, ka thënë Daka.
Ajo është shprehur e bindur se shkarkimi i saj ka qenë anit-kushtetues.
Sipas saj, askush nuk i di pse është shkarkuar.
“Në fakt askush nuk e di për çka jam shkarku. Ndoshta vetëm Presidentja e di atë dhe ata të cilët i kanë sugjeru shkarkimin tim. Dhe natyrisht që, është cenu edhe rendi kushtetues sepse KQZ-ja është organ i pavarur kushtetues dhe është prekur pavarësia e atij organi. Sepse një kryetar i KQZ-së mund të shkarkohet ashtu vetëm si e parasheh Kushtetuta dhe jo ashtu si jam shkarku unë”, ka deklaruar Daka.



