Çmimi i qumështit, vezëve dhe mjaltës ka shënuar një rritje prej 4.7% në tremujorin e parë të vitit 2025 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka shënuar një rritje prej 2.9% krahasuar me vitin 2024, duke reflektuar një tendencë të përgjithshme të ngritjes së çmimeve në sektorin bujqësor.
Po ashtu, ASK njofton se në tremujorin e parë të vitit 2025 (TM1), indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka shënuar një rritje më të moderuar prej 0.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në raportin e fundit, ASK ka theksuar se prodhimet që formojnë bazën për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: prodhimet bimore dhe ato blegtorale.
“Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Ndërsa, në prodhimet blegtorale, çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet janë grumbulluar për katër kategori kafshësh: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve,” thuhet në raportin e ASK-së.
Në përmbledhje, në kuadër të prodhimeve blegtorale, çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse përkatëse janë kilogram (kg), litër dhe copë.