Zyrtarja e PDK-së, Vlora Çitaku, reagoi ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për një qasje të padrejtë ndaj Sami Lushtakut. Ajo tha se qëndrimet e Kurtit ndaj ish-komandantit janë të papranueshme dhe pa ndjeshmëri njerëzore.
Në një intervistë në T7, Çitaku rikujtoi sakrificat e Lushtakut gjatë luftës, duke përmendur plagosjet që ai ka marrë dhe dhimbjen që, sipas saj, vazhdon ta bartë edhe sot për bashkëluftëtarët e rënë.
“Sikur të ishte i vdekur edhe vetë Albin Kurti do shkonte te varri i tij e do t’i vendoste lule”, tha Çitaku.
Ajo theksoi më tej se sulmet dhe kritikat ndaj Lushtakut nuk i sheh si qëndrime politike, por si pasqyrim të problemeve personale të kryeministrit. Sipas Çitakut, sjellja e Kurtit ndaj figurave të luftës është e papërshtatshme dhe nuk përkon me respektin që duhet treguar ndaj tyre.



