Nënkryetarja e PDK-së, deputetja Vlora Çitaku, ka folur për zhvillimet e fundit politike dhe mundësinë e krijimit të një qeverie të re, në një intervistë për emisionin FRONTAL, raporton Gazeta Express.
E pyetur nëse PDK do të ndërmarrë hapa për të formuar qeveri në rast se Albin Kurti dështon, Çitaku ka theksuar se tashmë është shumë vonë për një gjë të tillë dhe se zgjedhjet janë të pashmangshme.
Ajo ka kujtuar se menjëherë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, PDK kishte zhvilluar takime për krijimin e një shumice parlamentare, por mungesa e numrave ishte pengesa kryesore.
“Ne kemi bërë përpjekje menjëherë pas shpalljes së rezultatit zgjedhor. Kemi pasur takime me liderët për të ndërtuar shumicë parlamentare. Por në atë kohë është bërë e qartë që kemi mungesë numrash. Por tash, është bërë shumë vonë. I ka humbur kuptimi këtij Kuvendi. Që nga muaji shkurt e deri në tetor, e turpshme çfarë shfaqjesh kemi parë”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja për të rikonfirmuar vullnetin e qytetarëve.
“Ne duhet të shkojmë në zgjedhje të reja. Zgjedhjet e reja janë të pashmangshme, që të kemi rikonfirmim të vullnetit të qytetarëve”, ka përfunduar Çitaku.