3.1 C
Mitrovice
E hënë, 2 Mars, 2026

Çfarë do të thotë kthimi i Christopher Hill në Ballkan?

“Ai është një lojtar serioz, një ekspert për Ballkanin, por edhe më shumë se kaq”, më këto fjalë e përshkruan Christopher Hillin – diplomatin me përvojë i propozuar për postin e ambasadorit në Serbi, Daniel Fried – një përfaqësues tjetër diplomatik amerikan me përvojë shumëvjeçare në Ballkan gjatë viteve të ‘90-ta.

Nominimi për ambasador i Christopher Hill, një bashkëkohës i krizave të shumta, ka ngjallur polemika në opinionin ballkanik dhe ndërkombëtar lidhur arsyet dhe kontributin e mundshëm të veteranit – në të kaluarën i angazhuar në përfundimin e luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe gjatë krizës së Kosovës u krye intervenimi i një pjese të bashkësisë ndërkombëtare, respektivisht me operacionin e Aleancës Veriatlantike (NATO) në ish Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ).

Bashkëbiseduesit e Zërit të Amerikës (edicioni në gjuhën serbe) sigurojnë se ky është, siç e quajnë ata, një emër i madh në qarqet diplomatike – i cili e dinte shumë mirë se çfarë po bënte gjatë karrierës së tij të gjatë.

“Një yll diplomatik dhe një person shumë serioz. Njihemi për një kohë të gjatë. Ai shërbeu në Beograd në fillim të viteve ’80-ta të shekullit të kaluar, kështu që ai e njeh terrenin. Kjo është një gjë e mirë, sepse ngritja e papritur e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë kohët e fundit, sugjeron që situata mund të përkeqësohet”, tha Daniel Fried, një bashkëpunëtor i lartë në Këshillin Atlantik dhe një diplomat në pension me përvojë shumëvjeçare, transmeton Telegrafi.



Hill, nominimi i të cilit do të konfirmohet në Kongres, shërbeu gjithashtu si Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit gjatë karrierës së tij. Ai udhëhoqi delegacionin amerikan gjatë bisedimeve me përfaqësuesit e Koresë së Veriut mbi çarmatimin bërthamor në 2003.

“Ai punoi në Poloni, Korenë e Jugut dhe Irak – ku Shtetet e Bashkuara kishin ndoshta ambasadën më të madhe në botë në atë kohë. Hill është i lidhur drejtpërdrejt me Presidentin Biden dhe Sekretarin e Shtetit Blinken. Ai ndoshta ka qasje më të lehtë për dallim nga ambasadorët e tjerë. Unë mendoj se kjo sinjalizon se amerikanët janë të interesuar të arrijnë zgjidhjet e duhura për Kosovën dhe Bosnjë -Hercegovinën”, siguron Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington dhe njohës i situatës në Ballkan.

“Nuk dërgoni njerëz të jashtëzakonshëm në vendet për të cilat nuk jeni të interesuar. Është një sinjal se ne jemi shumë të vetëdijshëm për rreziqet në Ballkanin Perëndimor. Nuk mund të them se me këtë sinjalizohet synimi për të filluar një proces të ri, por do të thotë se ne jemi diplomatikisht gati që këtë ta marrim seriozisht”, vlerëson Fried.

Tranzicioni politik në administratën amerikane, pas zgjedhjeve presidenciale nëntorin e kaluar, u shoqërua me spekulime në publikun ballkanik në lidhje me mundësitë e ndryshimit të politikës ndaj Ballkanit Perëndimor- më konkretisht ndaj Serbisë, procesit të dialogut Beograd-Prishtinë dhe subjektivitetin e entitetit boshnjake – hercegovas në Republikën Srpska, transmeton Telegrafi.

Në disa raste, zyrtarët amerikanë siguruan se kjo marrëdhënie do të mbetet e pandryshuar dhe se Shtetet e Bashkuara do të mbeten të përqendruara në mbështetjen e integrimit euroatlantik të gjithë rajonit.

Mirëpo, a thua nominimi i Hillit sinjalizon një qasje të re për zgjidhjen e çështjeve në Ballkan, ku situata duket se po përkeqësohet, ose më konkretisht ndaj Serbisë?



“Çfarëdo që duam të bëjmë në Ballkan, Serbia është pjesë e saj – në anën e drejtë ose të gabuar. Unë do të preferoja të ishte në anën e duhur, megjithëse nuk ka rëndësi se çfarë dua. Varet nga Serbia, dhe të kesh një diplomat me ndikim atje do të thotë që do të dihet që ne i marrim gjërat seriozisht. Skenari më i mirë do të ishte që Serbia t’i kujtojë aspiratat e saj të mëparshme evropiane. Një Serbi që ndihmon në zgjidhjen e çështjeve në Ballkan, për të mos qenë agjent i Moskës ose nacionalizmit – dhe për t’i bërë gjërat më keq. Një Serbi e tillë mund të ndryshojë historinë e rajonit”, saktësoi Fried, i cili gjatë karrierës së tij ka kryer funksionin e Ndihmës Sekretarit të Shtetit dhe ishte angazhuar në mënyrë aktive në Ballkan.

Daniel Serwer, nga ana tjetër, beson se mund të ketë një përkeqësim të caktuar ndaj Beogradit në krahasim me administratën e mëparshme amerikane – të cilën ai vlerëson se kishte një qëndrim disi më të butë ndaj Serbisë.

TË FUNDIT

TË FUNDIT