Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka deklaruar se megjithëse askush nuk e konteston që mbështetja për lehonat dhe fëmijët është e drejtë dhe e domosdoshme, vendimi i fundit i Qeverisë në dorëheqje për të dyfishuar përfitimet mujore – në një shumë totale prej 10 milionë eurosh – bie ndesh me ligjin.
Sipas Cakollit, Ligji për Qeverinë e kufizon një qeveri në largim që të ushtrojë vetëm funksione teknike, të planifikuara paraprakisht dhe brenda kornizës së buxhetit vjetor dhe Planit të Punës të miratuar më herët. Një qeveri e tillë nuk ka të drejtë të ndërmarrë vendime që ndryshojnë natyrën e përfitimeve publike ose që krijojnë obligime të reja fiskale për qeverinë pasuese.
Ai theksoi se vendimi i fundit nuk ishte i planifikuar dhe as i nxitur nga ndonjë rrethanë emergjente. Përkundrazi, sipas tij, ky vendim përbën një ndryshim të madh në politikat sociale dhe fiskale të vendit, duke tejkaluar mandatin teknik të një qeverie kalimtare.
“Nëpërmjet këtij akti, Qeveria ka kaluar nga administrimi i përkohshëm institucional në rolin e politikëbërëses – pa mandat, pa kontroll parlamentar dhe jashtë çdo logjike demokratike”, tha Cakolli.
Ai shtoi se neni 31 i Ligjit për Qeverinë nuk duhet të interpretohet në mënyrë të ngurtë e tekstuale, por përmes një qasjeje që merr parasysh logjikën kushtetuese të kufizimit të pushtetit në periudha pa mandat, për të ruajtur balancat institucionale, shmangur vendimmarrjet e njëanshme dhe garantuar që përcaktimi i politikave të reja t’i takojë vetëm një shumice të re legjitime.
Sipas tij, një interpretim i tillë do të duhej të kishte qenë udhërrëfyes edhe për këtë qeveri në largim, ashtu siç pritet të jetë në të gjitha rastet e ngjashme në të ardhmen.