Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” tha foli për votat dhe mandatet që mund t’i marrin partitë politike pas numërimit edhe të votave me postë.
Ai tha se “sa i përket votave me postë, ndonëse LVV sërish prin bindshëm, në bazë të trendit, nuk është përqindja e njëjtë”.
“Mbetet të shihet se sa do të kenë impakt. Por ajo çfarë është e sigurt është që të paktën luhatja minimale që do ta kemi është 2 deri në 3 deputetë”, tha ai.
Cakolli tha se me votat e diasporës, LVV mund të arrijë në 46%, PDK-ja në 21-22%, LDK-ja deri në 19% dhe AAK-ja mund të bjerë nën 6%.
“Me votat e diasporës, besoj që mesatarja e pritshme e përqindjes do të jetë rreth 46. Në rastin e PDK-së do të jetë 21-22% maksimalisht. LDK-ja mund të shkojë mbase deri në 19%, kurse me shumë gjasa AAK-ja mund të bjerë nën 6% si përqindje përfindimtare, për shkak se nuk merr më shumë se 3 deri në 4% të votave jashtë vendit”, tha ai në T7.
Aktualisht, Cakolli tha se “LVV-ja në bazë të këtyre rezultateve preliminare do t’i kishte 48 deputetë në Kuvend. PDK-ja do t’i kishte 24, LDK-ja 20 dhe AAK-ja 8”.




