10.8 C
Mitrovice
E premte, 17 Maj, 2024
spot_imgspot_img

Byrnes dëshmon se Thaçi kishte mosmarrëveshje me Demaçin

Dëshmitari i Hagës, Shaun Byrnes ka dëshmuar se pas dorëheqjes së Adem Demaçit, i cili nuk pranonte të nënshkruhej marrëveshja e Rambujesë, kishte mosmarrëveshje në mes grupit të tij dhe atij të Hashim Thaçit.

Në dëshminë e tij të hënën Byrnes ka thënë se grupi i Thaçit ishin të mendimit se çështja me Serbinë do mund të zgjidhej me negociata, ndërsa ai i Demaçit ishte i mendimit se Kosova duhej të çlirohej nga Serbia me luftë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Mosmarrëveshja më e thellë ndërmjet Thaçit e të moderuarve dhe Demaçit e grupit e tij se ai e kishte mbështetës në udhëheqjen e UÇK-së, pra problemi më i madh ishte se Demaçi besonte që liria e Kosovës dhe çlirimi i saj nga Serbia do të duhej të kryheshin me forcë dhe fuqi të armës, ndërsa Thaçi dhe të moderuarit që në atë kohë kishin bërë biseda të zgjeruara me ndërkombëtarët, në ato biseda ata kishin arritur në përfundimin se Kosova mund të çlirohej nga Serbia me negociata”, ka thënë Byrnes.

Sipas tij, grupi i Thaçit, duke përdorur mjete politike dhe nuk donin që të sakrifikonin, të flijonin më shumë jetë shqiptarësh në një konflikt që do të vijonte.

Dëshmitari tha se është dakord se pas dorëheqjes së Adem Demaçit, duket se ka edhe një ndarje edhe më të madhe të grupeve të caktuara, përfshirë edhe ata që janë me militantë me Demaçin, duke përfshirë këtu edhe fraksionet më të moderuar të UÇK-së.

Pasi u bë e ditur që dëshmia e këtij dëshmitari do të vazhdojë edhe nesër, me kaq mbaroi seanca e sotme.

Shqetësime për bashkëpunëtorë të Serbisë

Gjatë dëshmisë së tij në gjykimin ndaj Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari Shaun Byrnes tha se zyrtarët e UÇK-së ishin të shqetësuar që në radhët e tyre kishte bashkëpunëtorë të Serbisë.

“Një sërë zyrtarësh të UÇK-së më shprehën mua dhe anëtarëve të tjerë të ekipit tim shqetësime të tilla. Pra, se kishte poste të UÇK-së edhe të larta dhe ne kemi vajtur në Pejë, Klinë, Podujevë e të tjerë. Ne shpesh ishim në kontakt të përditshëm me komandantët e atyre zonave dhe ata e kishin këto informacion dhe e raportonin. Por, unë e dëgjova edhe vetë nga zyrtarë të lartë të UÇK-së që ata ishin të shqetësuar për informatorët”, tha Byrnes.

I intervistuar më parë nga ana e ZPS-së, dëshmitari kishte thënë se autoritetet serbe kishin njohuri të mira të personelit të UÇK-së dhe për aktivitetet e tyre.

Sipas deklaratës së tij të dhënë për ZPS-në, dëshmitari kishte thënë se serbët kishin mundësi që të përgjonin sinjale dhe komunikimet e UÇK-së nëpërmjet inteligjencës njerëzore, e që në fakt ishin supinët.

“Ta them në këtë formë, unë e dija nga bisedat e ndryshme me zyrtarë të UÇK-së që zyrtarët e UÇK-së kishin shqetësime që në radhët e tyre kishin bashkëpunëtorë. Serbët kishin sistem shumë efektiv inteligjence dhe informacioni. Ky ishte shqetësimi nga ana e tyre”, tha ndër tjerash Byrnes.

Ish-diplomati amerikan tha se RDB-ja ishte Shërbimi i Inteligjencës Serbe dhe kishte reputacion për shërbim efikas në Prishtinë.

“RDB ishte shërbimi inteligjencës Serbe. Ka pasur edhe një reputacion ky lloj shërbimi nga njerëz-mendimtar në Prishtinë që ishte shumë shumë efikas”, tha ai.

I pyetur nga avokati Luka Mishetiq, dëshmitari tha se nuk e njeh ndonjë person me emrin Zoran Stijeviq.

“Ky është një artikull për dëshminë që ai ka dhënë si dëshmitar i prokurorisë tek TPNJ-ja dhe dëshmia e tij në gjyqin e Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt, Stijoviq ka thënë që Shërbimi i Sigurisë ka pasur rreth 200 burime tek UÇK-ja duke përfshirë edhe në rangjet e larta të organizatës. A është kjo në përputhje me përfundimet që keni arritur në atë kohë”, pyeti Mishetiq pas përgjigjes së dëshmitarit.

Dëshmitari tha se nuk e kanë pasur fare idenë që një situatë e tillë siç përshkruhej nga Stijoviq ishte kështu.

“Ajo që ne pamë në terren ishte që UÇK-ja kishte praktika aspak të sigurta të komunikimeve. Pra, nuk ishin të sigurta komunikimet e tyre. Unë e dija nga diskutime që ishin bërë me shefin e CIA-s në Beograd që serbët dhe Shërbimi Serb i Sigurisë kishte vendosur burime shumë të mëdhaja dhe bënte përpjekje shumë të mëdhaja për të kapur komunikimet e UÇK-së. Madje, ma ka thënë edhe ne ta dinim që edhe ne do të përgjoheshim sepse ata përgjonin për UÇK-në por serbët ishin shumë efikas tek përgjimet dhe sigurisht i binte gjithashtu që ata po bënin përpjekje për të përgjuar UÇK-në dhe për të dëgjuar se çfarë komunikimesh po bënin ata dhe ajo që kam parë që është që po e kanë bërë këtë dhe kanë qenë shumë efikas”, tha ai.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT