Richard Grenell, përfaqësuesi special i presidentit amerikan, Donald Trump, ka thënë se populli i Kosovës është partner i jashtëzakonshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Grenell foli për raportet e dëmtuara në mes të Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti dhe administratës amerikane, duke thënë se dëmi ka të bëjë me anën ekonomike.
“Duhet të kemi një qeveri që është e gatshme për të bërë investime, jo politikë. Çfarë do të thosha është se kemi provuar dhe ka tepër shumë politikë. Nuk janë të interesuar që të bëjnë gjëra që janë të nevojshme për të sjell rritje ekonomike. Jo vetëm biznesmenët amerikanë, por edhe biznesmenët perëndimorë e thonë të njëjtën”, tha Grenell në një intervistë për Klankosova.tv.
Ai tha se gjatë kohës sa po punonte për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, e kishte paraparë që të vinte në një pikë ku zhvillimi ekonomik të ishte aq i madh, sa ta kalonte politikën dhe të vinin në pikën e largimit të trupave të NATO-s nga Kosova.
“E kam thënë edhe më parë dhe mendoj se kur ishim duke punuar në këto marrëveshje më parë[Marrëveshja e Uashingtonit], kisha paraparë të vinim në një pikë ku zhvillimi ekonomik të ishte aq i madh sa do ta kalonte politikën dhe pastaj do të ishim në gjendje që të zhvendoseshim në pikën e largimit të trupave të NATO-s”.
“Nuk po e sugjeroj që të bëhet kjo tash, pasi ka armiqësi që vazhdojnë të ndodhin. Është e rëndësishme të i mbajnë. Por e dua një ditë kur nuk do të ketë më trupa të NATO-s sepse kur ke trupa të NATO-s që mbrojnë sigurinë e vendit, e dërgoni një mesazh tek komuniteti i biznesit se nuk është e sigurt”, tha Grenell.