Sot Kosova po feston përvjetorin e 13-të të pavarësisë së saj, shkruan Mitrovica SOT.
E sigurisht, urimet për këtë përvjetor nuk kanë munguar as nga zyrtarë të partnerit kryesor të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas vetë Presidentit Biden, Kosovën e ka uruar dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Në urimin e tij, Blinken tha se SHBA është krenare për rolin e vazhdueshëm në mbështetjen e Kosovës sovrane e të pavarur që të zhvillojë një vend multietnik, gjithpërfshirës e demokratik.
Blinken aplaudon vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin dhe përpjekjet e Kosovës për normalizimin e marrëdhënienve me Serbinë. Në lidhje me këtë, Blinken tha se normalizimi i marrëdhënieve i përqëndruar në njohje reciproke kërkon fleksibilitet e gatishmëri për kompromis nga të dy anët.
Urimi i plotë nga Sekretari Blinken:
Në emër të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, uroj Kosovën teksa feston përvjetorin e saj të 13-të si shtet sovran e i pavarur.
Shtetet e Bashkuara është krenare për rolin e saj të hershëm dhe të vazhdueshëm në mbështetjen e një Republike të Kosovës të pavarur që të zhvillohet në një vend multietnik, gjithpërfshirës e demokratik. Kosova ka bërë lëvizje signifikante drejt një të ardhme më prosperuese, stabile dhe të sigurt. Vlerësojmë lart vendosjen së fundi të marrëdhënieve diplomatike me Izraelin dhe aplaudojmë përpjekjet e juaja për të arritur relacione të normalizuara me Serbinë. Arritja e një marrëveshje të përqëndruar në njohje reciproke do të kërkojë që të gjitha anët të tregojnë fleksibilitet dhe një gatishmëri për kompromis.
Shtetet e Bashkuara vlerëson lidhjet e forta mes popujve tanë dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit Euro-Atlantik. Popullit të Kosovës i uroj siguri e shëndet teksa punojmë së bashku për të tejkaluar sfidat e prodhuara nga pandemia COVID-19.




