4.2 C
Mitrovice
E martë, 10 Shkurt, 2026

Bizneset dhe ekonomia e Kosovës në probleme të mëdha, Pako e Rimëkëmbjes e domosdoshme

Kosova ka mbetur vonë me hapat në procesin e rimëkëmbjes ekononike pas dëmeve të shkaktuara nga pandemia, vlerësojnë ekspertët. Deri më tani, në Kosovë është futur në ekonomi vetëm një pako e rimëkëmbjes ekonomike prej rreth 300 milionë euro, derisa vendet e rajonit kanë injektuar ekonominë shumë më shumë.

Bizneset në Kosovë janë ankuar vazhdimisht për mosmbështetje nga qeveria e Kosovës dhe njëlloj po ndodh edhe me qeverinë Kurti që si prioritet të dytë pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore me pandeminë e kishte vënë rimëkëmbjen ekonomike.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gerxhaliu për Gazeta Metro tha se duhet të kuptohet që edhe procesi i dialogut e ndikon ekonominë e Kosovës, por se rimëkëmbja ekonomike deri më tani ka mbetur nën hijën e politikës.



“Është mëse e vërtetë që edhe më tutje rimëkëmbja ekonomike në Kosovë po mbetet nën hijën e politikës. Vet fakti që në kampanjë zgjedhore është promovuar dialogu si ndër sfidat 5,6,7, po e shihni se kjo gjë ka ndryshuar dhe duhet të kuptohet se përkundër ekonomisë, dialogu duhet të kuptohet si detyrë dhe se ekonomia dhe shoqëria kosovare është peng i dialogut. E tëra kjo duhet të na bëjë të kuptojmë se duhet të gjindet një zgjidhje dhe ky problem t’i takojë të kaluarës sepse nuk ka përspektivë ekonomike për Kosovën pa përfunduar dialogu.”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu gjithashtu tha se vendet e rajonit kanë qenë shumë më efektive sesa Kosova sa i përket rimëkëmbjes ekonomike, e gjithashtu tha se kriza e shkaktuar nga pandemia është e thellë.

Sipas tij, qeveria duhet të ketë strategji për ta ndihmuar sektorin privat dhe sektorin e prodhimit, e gjithashtu tha se kjo krizë mund të jetë edhe një mundësi e mirë për ekonominë nëse shfrytëzohet si duhet.



“Në anën tjetër, ne kemi probleme të brendshme që i proklamojmë si probleme të jashtme, derisa vendet e rajonit kanë qasje më direkte dhe më efektive, qoftë me pako ekonomike në mbështetjen e sektorit privat qoftë në tërheqjen e investitorëve të huaj. Kosova defenitivisht është në stad ekonomik të palakmueshëm. Jemi me fat që kemi një sektor privat që ka bërë shumë hapa para politikës, por duhet të kuptohet që vetëm hapja nuk mjafton për rimëkëmbje, duhet strategji e re që të mbështetet sektori privat, sektori i prodhimit, bizneset e mëdha dhe të vogla që kanë nevojë për mbështetjen e qeverisë dhe duhet të kuptohet se kriza e tillë është e vështirë, por mund të jetë edhe mundësi e mirë nëse shfrytëzohet.”, tha Gërxhaliu.

I pyetur nëse hapja e ekonomisë mjafton për rimëkëmbje, Gërxhaliu tha se kjo është gjë e vështirë. Sipas tij, krahas procesit të vaksinimit në Kosovë gjithashtu duhet që të draftohet një strategji e re e rimëkëmbjes.

Ai tutje për Gazeta Metro thotë se Kosovës do t’i duhet dyfishi i kohës, krahasuar me vendet e rajonit për të arritur një rimëkëmbje të plotë ekonomike.

“Duhet të kuptohet që vendet e rajonit do të jenë më të shpejtë në rimëkëmbje ekonomike dhe kanë qenë më të shpejtë deri më tani sepse kanë ndarë më shumë nga shteti. Mali i Zi ka ndarë rreth 600 milionë euro në ndihmë të qytetarëve dhe bizneseve, Shqipëria më shumë se 2 miliardë, Maqedonia afër 4 miliardë, Serbia gjithashtu, ndërsa Kosova ka mbetur me 268 milionë euro. Nuk mund të kemi rimëkëmbje ekonomike në këtë mënyrë dhe duhet të kuptohet që krahas vaksinimit të draftohet një strategji e re e rimëkëmbjes ekonomike dhe të kalohet me urgjencë në Kuvend sepse nëse vendeve të rajonit do t’iu duhen 2 vite për rimëkëmbje, Kosovës do t’i duhet dyfishi.”, tha Gërxhaliu.



Gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës është mbajtur seancë për ekonominë ku prezent nga qeveria ka qenë vetëm ministri i Financave, Hekuran Murati. Ai dhe qeveria pjesë e së cilës është janë kritikuar nga opozita se nuk kanë strategji për rimëkëmbjen e ekonomisë.

Deputeti i PDK’së, Bedri Hamza, i ka thënë Muratit dhe qeverisë Kurti se është shqetësuese që s’kanë plan për masa konkrete në ekonomi.

“Shqetësuese për ne mbetet që as në programin qeveritar nuk parashihet as një masë konkrete, me burime të qëndrueshme të financimit se si do të bëhet rimëkëmbja ekonomike e vendit, pas pandemisë Covid 19. Për më keq një program për ekonominë shumë i paqartë edhe sa i përket çështjes së tatimeve”, tha ai.

Gjithashtu, deputetja e LDK’së, ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka thënë se rimëkëmbja e deritanishme e ekonomisë është meritë e qeverisë Hoti dhe jo e qeverisë Kurti, e në anën tjetër, Pal Lekaj i AAK’së i ka thënë qeverisë Kurti se s’kanë strategji për ekonominë e vendit.

Në anën tjetër, ministri i Financave, Hekuran Murati ka paralajmëruar Pako të re të Rimëkëmbjes për të cilën nuk dihet se kur do të implementohet. /gazetametro.net

TË FUNDIT

TË FUNDIT