Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh ish-ministri i Financave, Besnik Bislimi po e quan pa substancë dhe zero Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike të Qeverisë Hoti.
Sipas tij, kreu i ekzekutivit i ka të gjitha mundësitë për ta bërë rimëkëmbjen ekonomike, por vetëm trurin nuk e ka.
“Ligji, veç rimëkëmbje nuk është, a buxheti e ka rimëkëmbjen brenda. Do të thotë Avdullah Hoti i ka të gjitha mekanizmat, të gjitha mundësitë, veç nuk e ka trurin. Projektligji për rimëkëmbje nuk ia jep atë.
Avdullah Hoti, bindja ime e fortë është, se e dinë që ky projektligj është zero dhe ai nuk ka interes ta kalojë. Në atë moment që ligji do të kalojë qytetarët do të kuptonin që nuk ka substancë dhe s’ka njerëz prapa që munden me shty përpara”, thotë Bislimi për Kosova Press.
Ai thotë se ideja e tyre për marrjen e një kredie prej 900 euro të qytetarëve do të ishte e duhura, pasi kthimi, pa kamatë do të ishte vetëm 16 euro në muaj.
Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike është votuar në parim muajin tetor, ndërsa koalicioni qeverisës po dështon të sigurojë votat për ta miratuar në lexim të dytë.