23.3 C
Mitrovice
E hënë, 2 Qershor, 2025
spot_imgspot_img

Bislimi: Kosova kurrë s’ka pasur marrëveshje për Asociacionin me Serbinë

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh edhe kryenegociator për dialogun me Serbinë, kduke folur për Marrëveshjen Bazike, ka thënë se Kosova nuk ka pasur kurrë marrëveshje për Asociacionin me Serbinë. Ai ka thënë se ka pasur një marrëveshje për normalizimin e raporteve, që ka qenë një lloj marrëveshje transaksionale.

Bislimi ka thënë se Bashkimi Europian nuk i ka bërë kurrë presion Serbisë që ajo të zbatojë obligimet nga Marrëveshja e Brukselit.

“Kosova nuk ka pasur kurrë marrëveshje për Asociacionin me Serbinë. Ka pasur një marrëveshje për normalizimin e raporteve, e cila ka qenë një lloj marrëveshjeje transaksionale: Serbia ka kërkuar diçka, Kosova ka kërkuar diçka. Në këtë marrëveshje Serbia ka kërkuar: Asociacionin. Ka kërkuar një garanci të qeverisë së Kosovës që ushtria nuk do të shkojë në kufi në veri pa dakordim me KFOR. Dhe ka kërkuar nga Bashkimi Europian hapjen e negociatave për anëtarësim. Tri janë kërkesat substanciale të Kosovës në kuadër të kësaj marrëveshjeje. Letra e kryeministrit Thaçi drejtuar shefit të NATO-s atëherë ku konfirmon gatishmërinë të mos dërgojë ushtrinë në zonat veriore pa dakordim të KFOR-it është dërguar para nënshkrimit të marrëveshjes. Pra një pjesë të kërkesave Serbia e ka realizuar edhe pa e nënshkruar marrëveshjen.

Pak javë pas nënshkrimit të marrëveshjes BE-ja ia ka hapur negociatat. Le të themi që Serbia që në pesë javët e para ka marrë 2/3 e produktit të cilin e ka porositur brenda kësaj marrëveshjeje. Kosova ka pasur vetëm dy kërkesa: kërkesa e parë ka qenë që të mos bllokohet në proceset e integrimit europian dhe e dyta që Serbia t’i mbyllë strukturat paralele. A e ka marrë Kosova ndonjë pjesë të produktit të porositur? Serbia ka vazhduar me bllokadat dhe fushatat për çnjohjen e Kosovës madje dhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes Bazike ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës dhe jo vetëm që i ka mbyllur strukturat paralele por ka hapur edhe të reja. Ajo që unë nuk kuptoj është se si Bashkimi Europian nuk i ka bërë kurrë presion Serbisë që ajo të dorëzojë të paktën 1/10 e produktit për të cilin është dakorduar në marrëveshjen e Brukselit por insiston që Serbia ta marrë hisen e tretë të produktit të porositur ndërsa Kosova mos të marrë asgjë në këmbim”, ka thënë Bislimi për Deutsche Welle.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT