-0.4 C
Mitrovice
E enjte, 22 Janar, 2026
spot_img

Bislimi: Është arritur pajtim me Serbinë për komisionin për personat e zhdukur

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se është arritur pajtim me Serbinë për funksionalizimin e komisionit të përbashkët për zbatimin e marrëveshjes për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Pas rundit të ri të dialogut në Bruksel, Bislimi deklaroi se tani mbetet që përfaqësuesit e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë të takohen “në javët në vijim dhe të përcaktojnë prioritetet e para për punën e komisionit të përbashkët”.

“Pjesa më e madhe e kohës sot ka kaluar në takime biletarale. Fillimisht pala kosovare me BE-në, e pastaj edhe pala serbe. Qëllimi ishte që të arrijmë dakordim që sot ta funksionalizojmë komisionin e përbashkët për jetësimin e marrëveshjes për personat e pagjetur mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Takimet ishin të suksesshme. Në fund arritëm që përfundimisht ta jetësojmë këtë objektiv”, tha Bislimi pas takimit.

Marrëveshja u arrit pas disa orësh bisedimesh që ndërmjetësi evropian në dialog, Peter Sorensen, zhvilloi veç e veç me Bislimin dhe kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.

Kkryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, e cilësoi rundin e dialogut të 22 janarit si “takimin e parë të komisionit të përbashkët për zbatimin e Deklaratës për personat e zhdukur”.

“Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe domethënëse dhe shpresoj që pas këtij takimi të parë të përshpejtohen të gjitha proceset në drejtim të gjetjes së të gjithë personave të zhdukur”, tha Petkoviq.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i cili ishte i pranishëm në Bruksel, tha se për tre vjet Serbia kishte refuzuar themelimin e këtij komisioni.

“Ne mirëpresim takimin e radhës, me pritjen e qartë që pala serbe të vijë me hapa konkretë dhe të matshëm, në përputhje me obligimet e marra në Deklaratën e personave të zhdukur”, shkroi Hoti në Facebook.

TË FUNDIT

TË FUNDIT