23.4 C
Mitrovice
E diel, 14 Shtator, 2025
spot_imgspot_img

Biseda sekrete e ish-presidentit Clinton: Çfarë i tha presidentit rus për Kosovën

Në një dokument ekskluziv të siguruar nga “Zonazero” dhe të publikuar të plotë në gazetën Shqip janë publikuar bisedat e vitit 1999 mes presidentit të Amerikës Bill Clinton e atij të Rusisë Boris Yeltsin. Në prill të po atij viti, Rusia kërkonte që lufta e Kosovës të zgjidhej përmes bisedimeve, të cilat do t’u jepnin atyre një autonomi të zgjeruar, ndërsa Jugosllavisë do t’i ruante integritetin territorial i cili njihej ndërkombëtarisht.

“Ndajmë të njëjtin qëndrim në lidhje me nevojën për të rinisur punën në nivel politik dhe gjetjen e një marrëveshjeje që do t’i jepte Kosovës një autonomi të zgjeruar dhe ruante integritetin territorial të Jugosllavisë” Gjatë telefonatës, Yeltsin kundërshton në çdo formë praninë ndërkombëtare në Kosovë.

“Ndasia e madhe që kemi ne lidhet me praninë ndërkombëtare në Kosovë. E kuptojmë se pa praninë ushtarake ndërkombëtare nuk mund të ketë rikthim të sigurt të refugjatëve, por çështja e pranisë ndërkombëtare duhet biseduar dhe zgjidhur me lidershipin jugosllav” (Yeltsin) Presidenti rus i thotë atij amerikan se i kishte mbushur mendjen Milloshevicit për një mision civil ndërkombëtar në Kosovë.

“Bill, mendoj se kemi nevojë për një udhëheqës të fortë shqiptar në Kosovë, në mënyrë që ta ulim në tryezën e bisedimit me Milloshevicin. Sigurisht, na nevojiten edhe sinjale nga NATO nëse duam të gjejmë një zgjidhje. Është e qartë se Jugosllavia nuk do ta pranojë kurrë një mision ushtarak, sidomos nëse udhëhiqet nga NATO” Clinton përmend masakrën e shkaktuar nga serbët në Kosovë, ku pohon se këta të fundit nuk mund të kthehen pa mbrojtje ushtarake.

“Nëse prania ndërkombëtare nuk ka elementin ushtarak, shqiptarët nuk do të kthehen kurrë. Forcat serbe kanë djegur fshatrat, i kanë djegur të gjallë, përdhunuar fëmijë dhe nuk ka asnjë mundësi që ata të kthehen pa mbrojtje ushtarake. Nuk më intereson shumë se si do të quhet forca ushtarake ndërkombëtare, por di që nëse nuk përfshihet NATO, as nuk do të çarmatosim dot shqiptarët. Ne mund ta çarmatosim UÇK-në”

(Clinton) Presidenti amerikan mohon në këtë telefonatë akuzat e Moskës se SHBA po armatos UÇK-në. “Përkundër asaj që the ti, ne nuk po i armatosim ata. Ka një propozim në Kongres për t’i armatosur, por unë kundërshtoj idenë që SHBA dhe Rusia të fillojnë të bëjnë garë për armatosjen atje duke i hedhur më shumë benzinë zjarrit. Prandaj, kam kundërshtuar kërkesat për të armatosur shqiptarët”, thotë Clinton.

Presidenti i SHBA i thotë atij rus se mes opsioneve që kishte në tryezë ishte edhe ai i një misioni ushtarak ndërkombëtar pa praninë e Rusisë. “Tek e fundit, ka edhe një minoritet serb në Kosovë dhe ata kanë të drejtën që të ndjehen të mbrojtur. Është imperative që shqiptarët të ndjehen të mbrojtur, serbët të ndjehen të mbrojtur dhe mbi këtë bazë ne mund të çarmatosim shqiptarët”

(Clinton) Presidenti amerikan i thotë Yeltsin se nuk do të miratojë një mision ndërkombëtar në Kosovë që nuk do të garantonte mbrojtjen e serbëve. Ai gjithashtu i thotë Yeltsin se bombardimet ndërpriten menjëherë nëse Milloshevic tërheq ushtrinë nga Kosova.

“Ato do të ndalonin që nëse nëse Milloshevic nis tërheqjen e ushtrisë së tij. Problemi i pezullimit të bombardimeve pa tërheqjen e trupave është se në të shkuarën, Milloshevic nuk e ka mbajtur fjalën. Na u premtua në tetor tërheqja e trupave, por në vend të kësaj ai dërgoi 40 mijë ushtarë dhe 300 tanke të tjera dhe nisi të zbatojë planin e vet. Tani, duhet të na tregojë me vepra tërheqjen, jo vetëm me fjalë”.

TË FUNDIT

spot_img
spot_img

TË FUNDIT