Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, i ka bërë ‘retweet’ një postimi në Twitter me karikatura të profetit të fesë Islame, shkruan mitrovica.net
Kjo menjëherë ka ngjallur reagimin e Bashkësisë Islame të Kosovës e cila nuk e ka mirëpritur aspak këtë veprim të Gashit.
Në një reagim në faqen zyrtare të saj, BIK veprimin e Gashit e ka cilësuar të papranueshëm dhe të dënueshëm. Tutje, në reagimin e saj BIK thotë se publikimi i karikaturave të profetit të Islamit përbën nxitje të urrejtjes ndaj myslimanëve.
Në anën tjetër, Presidenti francez Emmanuel Macron atentatin që ia humbi jetën mësuesit francez, Samuel Paty, për shkak të karikaturave të profetit të fesë Islame e ka cilësuar si sulm ndaj Francës, demokracisë dhe lirisë së shprehjes.
Reagimi i plotë i BIK:
Në fillimin e muajit të datëlindjes së Pejgamberit tonë të dashur Muhamed, kur ne dhe mbarë bota islame ka filluar manifestimet për të përkujtuar, lexuar e studiuar biografinë e tij te ndritshme dhe mësimet e tij të shenjta, na vjen publikimi i karikaturave që ofendojnë Pejgamberin Muhamed a.s., nga ambasadori ynë në Francë z. Qëndrim Gashi.
Për ne si Bashkësi Islame ky akt është i papranueshëm i dënueshëm dhe një veprim i tillë vetëm sa rrit mos durimin, urrejtjen e mosbesimin ndër njerëzor, ngase cenimi, ofendimi dhe atakimi i tjetrit, e sidomos kur kjo ka të bëj me çështjen e besimit, nuk paraqet asnjë vlerë.
Populli ynë njeh për vlerë kultivimin e tolerancës, mirëkuptimin, bashkëjetesën e harmoninë ndër fetare, që është shembull edhe për popujt e tjerë. Harmonia ndër fetare që ne kultivojmë me shekuj mund të jetë shembulli i mirë edhe për popujt dhe shoqëritë tjera.
Këtë shembull të mirë e vlerë të kombit tonë do të duhej ta ndiqte edhe ambasadori ynë, z. Qëndrim Gashi, e jo të bëj të kundërtën, dhe me veprimet e tij ti kontribuoj mos durimit e urrejtjes me bazë fetare.
Kërkojmë nga ministria e jashtme që të distancohet nga veprimi i Ambasadorit Gashi, ngase konsiderojmë që me veprimin e tij ka atakuar vlerat dhe parimet mbi të cilat populli ynë me shekuj ka ngritur e kultivuar harmoninë e bashkëjetesën ndër fetare.
Po ashtu dënojmë aktin kriminal ndaj mësuesit francez dhe në të njëjtën kohë angazhohemi që besimet tona mos të përdorën për urrejtje e mos durim, por për bashkëjetesë, njohje, respekt e dashuri.