Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka thënë se do ta votonte edhe Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit. Ai tha se deputetët e LVV-së “nuk kanë vullnet” për zgjidhjen e ngërçit politik në Kuvend.
Ai tha se “ish dashtë me pasë komunikim të mirëfilltë mes vete dhe me këqyrë qysh me dalë prej kësaj situate”.
“Qëllimi është të afrohemi”, tha Berisha në Frontal në T7.
“Deri më tash këta që po e mbajnë qeverinë si në dorëheqje janë më përjashtuesit. Do me thënë është e pamunshme edhe me komuniku. Sikur nuk iu intereson fare kjo situatë”, tha ai.
Berisha tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari “ka direktiva” dhe “ndjehet mirë t’i zbatojë ato direktiva”.
Vetë, Berisha tha se ka ndryshuar qëndrim sepse nuk iu ka dukur që emrat tjerë të LVV-së “ku me ditë sa më të mira sesa Albulena Haxhiu”.
“Hajde ta tejkalojmë këtë situatë se s’bëhet nami, e pastaj të kalojmë në atë pjesën ku sfidohet Albin Kurti a i ka votat për qeverisje”, tha ai.
Berisha tha se është i bindur se Kurti nuk i ka votat për qeveri.